Protestat më të rënda që nga shpallja e pavarësisë

Mediat amerikane përmes njoftimeve të agjencive Associated Press dhe Reuter kanë raportuar për protestat e sotme të dhunshme në Prishtinë si trazirat më të rënda që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Reuter raportonte për gazin lotsjellës dhe ‘topthat’ e ujit të hedhur nga policia në përpjekje për shpërndarjen e rreth 2000 protestuesve që kishin dalë në rrugë në protestat e organizuara nga lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera opozitare.

Të paktën 37 veta janë lënduar, në mesin e tyre 22 policë. Protestuesit kanë gjuajtur policinë me gurë, koktej molotovi dhe gjësende të tjera të forta.
Përleshjet kanë pasuar një javë demonstratash në gjithë Kosovën të organizuara nga partitë opozitare që kërkojnë shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, për shkak të komenteve të tij në minimizimin e rolit të Serbisë në luftë dhe fyerjes së familjeve të rreth një mijë shqiptarëve që ende janë të zhdukur, theksonte kanali ABC në raportin e marrë nga Associated Press.

Reuter thekson gjithashtu se protesta e dytë me radhë në Prishtinë gjente zemërimin popullor dhe motivin ndaj zbrapsjes së qeverisë mbi fatin e kompleksit të madh të minierave në Trepçë.

“Trepça është e jona,” “Jabllanoviqi të largohet” kanë qenë disa nga thirrjet dhe pankartat e shkruara që kanë mbajtur protestuesit, thuhet në këto raportime.

Artikel bewerten
(0 Stimmen)

Urime Kurban Bajrami