Koalicioni PDK-LDK është bërë pas shantazhit që amerikanët i kanë bërë Isa Mustafës

25 Dez 2015

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një intervistë, paksa të pazakontë, për Zona B të Baton Haxhiut, ka folur për gjendjen politike dhe shoqërore në Kosovë, “shmangien” e tij nga organet e rendit, veprimet e tij dhe ato të opozitës – përfshirë skenën kur ai nxjerr nga vetura një zyrtar të shtetit, për “fashistët” – siç i quan ai Hashim Thaçin e Isa Mustafën dhe për “shqiptarët budallë” që po po kryejnë veprime antikombëtare duke sulmuar serbët dhe objektet fetare e kulturore të këtyre të fundit.

Molliqaj ka thënë se ai nuk do të heq dorë nga veprimtaria e tij, derisa kasta që e udhëheq shtetin të “zhduket nga pushteti”, njofton Klan Kosova.

“Krejt qenia ime politike do të jetë në ndalje të këtyre marrëveshjeve dhe zhdukje të kësaj mendësie politike nga pushteti. Me njerëz që dështuan në UNESCO, dështuan liberalizimin, punësimin, që thyejnë zyra të subjekteve politike, që nënshkruajnë marrëveshje antikushtetuese, që falin territore dhe kontrollojë policinë – ata duhen zhdukur nga pushteti”.

Sipas tij Blloku VLAN u prish, jo për arye postesh, por sepse Isa Mustafa u shantazhua nga ndërkombëtarët – ndërsa “shpëtimin e Mustafës” e ka quajtur fundosje të Kosovës.

“Vetë Isa Mustafa na e ka thënë në një moment në ato takimet e Bllokut, se amerikanët “ta rrutullojnë veturën”. Ai është tërhjekur nga Blloku në momentin që është kërcënuar me dosjet ndaj tij. Ka ikur në Prapashticë një javë dhe nuk e ka hapur telefonin. Mustafa ka qenë i detyruar nga shantazhet me dosje që ta bëjë koalicionin”, ka thënë Molliqaj.

“Marrëveshja e 10 shtatorit me subjektet tjera nuk do të lejonte sjelljen e atyre marrëveshjeve që kemi tash. Por nuk na lejoi Partia Demokratike e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese – kapja e shtetit. Pra na e pamundësuan mënyrën demokratike”.

“Marrëveshja për termocentralin me pjesën serbe është kriminale. Dikush duhet të shkojë në burg për këtë gjë. Nuk ka asnjë deklaratë të asnjë zyrtari të Vetëvendosjes që e lavdëron dikë nga VLAN-i, por ne kemi thënë se bashkëpunimi është i mirë”.

“Ne kemi negociuar katër muaj me partitë tjera pa kërkuar asnjë post, por kemi kërkuar marrëveshje të parimeve. Ne ua kemi njohur të gjitha postet e ndara dhe kemi kërkuar që të mos ndahemi për shkak të posteve”.

“VLAN-i nuk u prish për shkak të posteve, por për shkak të shantazhit të bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e dosjeve”.

“Unë nuk mendoj që Ramush Haradinaj e ka çuar LDK-në në koalicion me PDK-në. Shpëtimi i Isa Mustafës është fundosje për Kosovën”.

Molliqaj ka thënë se për shkak të ambientit në vend të vërtetat po artikulohen në një formë tjetër dhe se ai nuk beson në Gjykatën Kushtetuese, njofton Klan Kosova.

“E vërteta në këtë vend po del e vrazhdë, sepse gënjeshtra është shumë e lëmuar. Unë nuk besoj në Gjykatën Kushtetuese. Por vendimi është i mirë, sepse e ka shkatërruar marrëveshjen në të gjitha pikat, që nga emri deri në fund. Gjykata, nëse do të kishte vendosur pa presion politik, vendimi do të ishte edhe më i mirë”.

“Jam i bindur që Gjykata Kushtetuese ka marrë këtë vendim kur e ka parë që jemi të vendosur. Presidentja e Kosovës është presidente e zarfit të Zyrës Amerikane. Ajo është vegël e kulluar e manovrimeve politike të kësaj zyreje”. /klankosova.tv

Artikel bewerten
(3 Stimmen)

Urime Kurban Bajrami