Zemra.com - Vatra: Refugjatët nga Kosova lindore që 16 vite të harruar

Lëvizja “Vatra” kujton se refugjatët nga Kosova Lindore kanë mbetur të harruar tash e 16 vite.

Kjo lëvizje përmes një komunikate për media, kujton kohën kur 10 mijë banorët e kësaj ane u zhvendosën nga trojet e tyre në vitin 1999.
Vatra e quan këtë kohë si më të vështirën për këta banorë.
“Në qershor të vitit 1999 para 16 viteve, për banorët e Malësisë së Bujanocit, fshatrat kufitare të Komunës së Preshevës, të njohur si Malësia e Karadakut dhe ato të Komunës së Medvegjës do të kujtohet si një ditë e kobshme në gjithë historinë e asaj ane. Në këtë ditë, nga këto vendbanime, banorët shqiptarë u dëbuan, u zhvendosën dhe u shpërngulën duke i lënë trojet e tyre nga presionet, dhuna, ku kulmi i të zhvendosurve ishte pikërisht në fund të qershorit të 1999”, kujton Vatra.
Në komunikatën për media lëvizja “Vatra” thotë se për 15 ditë të qershorit të vitit 1999 u zhvendosën 10.783 banorë shqiptarë që u strehuan, apo u vendosën në Komunën e Gjilanit, kurse pjesa tjetër siq kujton Vatra, është vendosur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Kamenicë etj.
Lëvizja “Vatra” kërkon nga faktori politik ndërkombëtar dhe ai vendor që të bëjnë ndonjë hap për kthimin e banorëve të dëbuar në shtëpitë e tyre.
“Ne kërkojmë që të investohet vetëm 10% e mjeteve sa investohen për kthimin e serbëve në Kosovë, e ne do të ishim të lumtur dhe të kënaqur. Dihet botërisht se qeveria e Serbisë investon mbi 200 milion euro në vit për kishën e serbëve në Kosovë, po sikur të mos mjaftonte kjo edhe qeveria e Kosovës e faktori ndërkombëtar ndajnë miliona për këtë gjë”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Vatra”.
Për kthimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore gjer tani, Vatra thotë se nuk u investua as edhe një qindarkë nga askush dhe nuk u morë askush me këtë popullatë. Sipas tyre me këta refugjatë madje nuk u morë as Republika e Kosovës, e as nuk i njohu statusin e refugjatit kësaj popullate.
“Shpresojmë që me kohë faktori ndërkombëtar dhe ai shqiptar në përgjithësi të kuptoj se Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë pjesë të Kosovës dhe ata banorë të dëbuar duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. / RTKLive.com

Artikel bewerten
(0 Stimmen)

Urime Kurban Bajrami