Të gjithë njerëzit kanë një Krijues të vetëm

Njeriu si një qenie e gjallë mbi tokë, para së të jetë pjesëtar i cilësdo feje apo çfarëdo besimi të caktuar, është qenie humane, e cila edhe sipas mësimeve dhe besimeve të mëdha monoteiste ka një gjenezë të vetme ademike, të njohur si: Adam-Adem & Eva-Hava.

Faktin se njerëzit kanë të gjithë një natyrë krijuese, e ka vërtetuar edhe shkenca e cila është marr me kodin gjenetik të njeriut. Ajo ka ardhur në përfundim se një njeri, kudo që merr frymë në sipërfaqen e tokës, mbi 99.9 për qind e qenies së tij ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë lëndore dhe fizike me të gjithë njerëzit – pa dallim etnie dhe race.

E, kjo do të thotë se ne, para se të jemi pjesëtarë të një kombi, etnie apo t`i përkasim ndonjë forme të caktuar të besimit në Zot, kemi vetëm një emër të përbashkët, atë: “NJERI“.

Prandaj, shih për këtë, edhe ndarjet në forma dhe mënyra të ndryshme të besimit në Zot, ne duhet parë si vullnet të lirë të përcaktimit të çdonjërit, të cilat nuk duhet vënë në shërbim të urrejtjes dhe luftës ndaj tjetrit, sepse duhet kuptuar se edhe tjetri është si ne – njeri; edhe tjetri beson dhe pretendon siç besojmë edhe ne se është në rrugën e drejtë dhe të saktë të Zotit, kurse të tjerët janë në të gabuarën dhe të humburën.

Ndryshe, diverstitin etnik, racor e linguistik, si dhe diversitetin e bindjes tonë për besim duhet shikuar e pranuar edhe si vullnet të Zotit të zgjedhur për botën njerëzore.

Këtë dallueshmëri mes njerëzve e konfirmon edhe teksti i shenjtë i Kuranit në citatet si vijon:

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete.. më fisniku nga ju tek Zoti është ai i cili më teprimi i përkushtohet Atij.”

“Nga argumentet e Tij është edhe krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka shenja për njerëzit (që mendojnë, se Ai ekziston).”

Çështja e besimit në Zot për një të rritur në moshë dhe mentalisht të shëndosh, duhet të shihet si zgjedhje individuale dhe personale e tij, siç njashtu është edhe përgjegjësi individuale e çdonjërit para Zotit të vet për besimin të cilin e ka ndjekur apo e ka zgjedhur si pjesë të orientimit shpirtëror të tij gjatë jetës së tij në këtë botë.

Neve, si krijesa njerëzore nuk na është lënë në dorë e drejta për të gjykuar, stigmatizuar apo luftuar tjetrin vetëm pse nuk ndanë të njëjtën formë të besimit në Zot sikurse edhe ne.

Për formën e besimit të drejtë gjykon dhe shpërblen Zoti, dhe jo njeriu. Zoti është Ai i cili mban monopolin e gjykimit absolut në ditën e ringjalljes.

Ne kemi të drejtë të mos pajtohemi dhe të mos ndajmë të njëjtën bindje me tjetrin sa i përket besimit mirëpo, në anën tjetër, me asnjë normë – qoftë ajo njerëzore apo hyjnore – nuk sanksionohemi që të respektojmë dhe tolerojmë bindjen dhe përcaktimin shpirtëror të secilit individ apo grup në shoqëri, përderisa individi apo grupi i caktuar fetar nuk kërcënon lirinë dhe të drejtën e tjetrit në emër të Zotit!

Si pjesëtarë të feve monoteiste nuk duhet të anashkalojmë dhe injorojmë udhëzimin dhe këshillat e librave të shenjta. Në Kuran lidhje me atë që u theksua më lartë lexojmë tekstet edhe si vijon:

“Sikur Zoti të donte, të gjithë juve do t`ju bënte pjesëtarë të një feje.”

“Nuk ka imponim të besimit (ndaj tjerëve).”

“Nuk është e drejtë as e Pejgamberit, por as e tjerëve, që t`i urrejnë njerëzit pse ata nuk besojnë (në Zot).”

“Ti, o i Dërguar – Profet! Obligim i yt është që vetëm t`u përkujtosh ( njerëzve besimin në Zot), sepse ti nuk ke kompetencën e mbizotërimit (të zemrave të askujt)”.

Liria e besimit dhe fesë nuk nënkupton lirinë dhe të drejtën për të luftuar dhe nëpërkëmbur tjetrin në emër të Zotit, sepse një veprim i tillë jo që bie në kundërshtim vetëm me parimet humane dhe demokratike, por njëkohësisht bie në kundërthënie të drejtpërdrejtë edhe me vet mësimet dhe udhëzimet e shpalljeve hyjnore drejtuar njeriut.

Mendimi dhe veprimi ekstrem në fe nuk ka emër tjetër veçse devijim nga arsyeja dhe mendimi i shëndosh racional, të cilin nuk duhet lejuar që të zë vend në familjen dhe shoqërinë tonë.

Sa për t’ju përkujtuar juve sot, ekstremizmi fetar nuk ka lindur dhe as që lind vetvetiu. Ai krijohet dhe kultivohet nga faktori njeri dhe jo nga Zoti, me qëllime dhe prapavijë të caktuar, në kohë dhe rrethana të caktuara, i nxitur dhe i shtyrë shpeshherë edhe nga faktorë politikë.

Veprim ekstrem ndër ne mund të jetë edhe insistimi i ndërtimit i një objekti fetar në mesin e një komuniteti tjetër, për të cilin ata nuk janë në pajtim, sepse një hap i tillë mund të shkaktojë reagime, të cilat pastaj mund të rriten dhe të shndërrohen në objekt urrejtjeje dhe përçarjeje.

Përgjegjësia për një orientim dhe devijim të të rinjve tanë në emër Zotit dhe fesë, bie në rend të parë mbi prijësit e fesë pa dallim se cilit konfesion ata mund t`i takojnë. Ndryshe, edhe shoqëria në përgjithësi duhet jetë ajo që të reagojë në kohë për të parandaluar një fenomen të tillë të shëmtuar të mendimit dhe veprimit, i cili nuk ka epilog tjetër veçse anarkinë, dekadencën si dhe destabilizimin e një shoqërie kudo që lëshon rrënjë.

Ne, si shqiptarë në shumicë, edhe pse të ndarë në vijë gjeografike si rezultat i rrjedhave dhe tundimeve historike, nuk na bënë asnjëherë që të mos ndihemi se jemi bij të një gjaku, të një gjuhë dhe kulture, dhe se i takojmë konfesioneve të njëjta fetare me dallim të vogla.

Kështu që, duke qenë si një shoqëri e dy vendeve, por me një gjenezë etnike, gjeografike dhe gjeopolitike, si dhe aspirues të integrimeve euroatlantike, angazhimi ynë i përbashkët duhet të vazhdojë të jetë i orientuar në ruajtjen e traditës së respektit dhe tolerancës ndaj njëri-tjetrit, duke mos lejuar që qasja e jonë e ndryshme ndaj besimit në Zot të shndërrohet në mjet dhe element të urrejtjes dhe përçarjes mes nesh.

Dallimet fetare janë pjesë e të të gjitha shoqërive kudo në botë. Ato nuk mund të zhduken dhe as që janë zhdukur ndonjëherë gjatë gjithë historisë njerëzore deri më sot.

Provokimet e të tjerëve me prapavijë dhe paragjykime fetare nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së asnjë konfesioni fetar në vendet dhe territoret tona, si edhe më gjerë.

Konkurrenca për të qenë sa më afër me Zotin nuk duhet të rrëshqas në urrejtje dhe luftë për Të, sepse Zoti nuk i do shoqëritë e ndara dhe të përçara në emër të Tij. Kështu raste kemi sa të duash përgjatë historisë.

Në Kuran, në lidhje me përcaktimin e lirë të çdonjërit në besimin e tij fetar, gjejmë përgjigjen shumë domethënëse të cilën Zoti ia kishte mësuar të dërguarit të tij Muhammedit:

“Për ju le të jetë feja e juaj, kurse unë për veten time kam fenë time.”

Toleranca fetare nuk kultivohet vetëm përmes fjalëve dhe retorikes, por me anë të veprimeve dhe ndërveprime të ndërsjella, me edukim praktik të fëmijëve; në shtëpi, në institucione shkollore, në ambiente shoqërore, media etj.

Lloji i ushqimit që konsumon agjëruesi është themeli i çështjes në përballimin sa më mirë të etjes gjatë agjërimit.

Ja disa këshilla të vlefshme për këtë qëllim:

1.Mos konsumoni ushqime që përmbajnë sasi të madhe erëzash, sidomos në vaktin e syfyrit.

2.Pirja e sasive të vogla dhe të shpeshta të ujit pas ngrënies së Iftarit.

3.Konsumimi i perimeve dhe frutave të freskëta gjatë natës dhe në syfyr, sepse ato përmbajnë sasi të mëdha uji dhe fibrash që qëndrojnë për një kohë relativisht të gjatë në zorrë, dhe kjo ul ndjesinë e urisë dhe të etjes gjatë ditës.

4.Largimi nga konsumimi i ushqimeve të kripura dhe turshive në kohën e Iftarit, sepse këto e rrisin nevojën e organizmit
për ujë. Në vend të këtyre preferohen perimet e gatuara. Preferohet gjithashtu konsumimi i mishit të zjerë apo të pjekur për lehtësinë e tij në tretje (në Iftar).

5.Shtimi i lëngjeve që ndihmojnë në lagështinë e trupit, si lëngu i Jamballit dhe Hurmes Indiane, sepse këto vrasin disa lloje mikrobesh në aparatin tretës.

6.Shtimi i konsumittë sallatës, sepse ajo përmban një numërtë madh elementesh ushqimorë zbutës dhe të dobishme e të pasura me fibra, minerale dhe vitamina që i sigurojnë organizmit gjallëri, fuqi dhe sasinë e nevojshme të ujit. Sallata me vlerat më të plota ushqyese duhet të përmbajë majdanoz trangull (kastravec), selino, domate, qepë, lulelakër, e lloje të tjera të panumërta perimesh.

7.Ekspertët theksojnë se shalqini është nga frutatverore shumë të dobishme për agjëruesit, madje ai zëvendëson dhjetëra lloje perimesh bashkë me mishin, për efektet e tij të zbutëse për stomakun, plus faktit që ai është i pasur me një sërë elementesh që i plotësojnë njeriut nevojën për ujë, vitamina dhe minerale, gjatë gjithë ditës së agjërimit, e sidomos në ditët e nxehta të verës. / Reporteri.net

Muhammed b. Ibrahim El Hamd
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe tere pasuesit e tij gjer ne amshim!
Ne një hadith, te pajtuar për saktësinë e tij, qëndron:
“تَسَحَّرُوا فَإِنَّ فِي السُّحُورِ بَرَكَةً
Bëni syfyr ngase ne syfyr ka bereqet”.
Ne këtë hadith urdhërohemi ta hamë syfyrin, si përgatitje për agjërim, ndërsa urtësia e tij është zbritja e begatisë dhe bereqetit.
Bereqeti, me konkretisht, do te thotë zbritja e se mirës hyjnore ne diç dhe përqendrimi ne te.
Bereqeti po ashtu do te thotë shtim i se mirës, shpërblimit dhe tere atyre, qe ka nevoje për to njeriu ne këtë dhe boten tjetër.
Bereqeti është vetëm prej Allahut dhe si i tille nuk arrihet përveçse me respekt, nënshtrim dhe adhurim për Te.
Disa agjërues nuk i kushtojnë rëndësi ngrënies se syfyrit dhe as vonimit te tij deri ne kohen e fundit, madje disa nuk e hane fare, kështu qe hane para se te flenë. Këtë e bëjnë ose nga frika se nuk mund te zgjohen, ose nga dëshira për te fjetur me shume, ose nga mos dija për vlerën e syfyrit.
Kjo është mangësi, qe agjëruesi duhet ta eliminoje ngase kjo, përveç qe shkakton pengimin e vlerës dhe begatisë se syfyrit, është po kështu ne kundërshtim me traditën e pastër te Muhammedit, alejhi’s slatu ve’s selam.
Është mire qe agjëruesi te haje syfyrin ne kohen e fundit te natës, pak para se te vjen koha e namazit te sabahut, ngase ne këtë veprim ka te mira te shumta, si:
Se pari, përgjigje ndaj urdhrit te Allahut, i Cili ne një hadith kudsijj thotë:
“تَسَحَّرُوا فَإِنَّ فِي السُّحُورِ بَرَكَةً
Bëni syfyr ngase ne syfyr ka bereqet”.
Vetëm kjo do t’i mjaftonte syfyrit si nder dhe virtyt. Thotë Allahu:
“مَّنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ
Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur All-llahut”. (Nisa, 80),
“وَمَن يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزاً عَظِيماً
e kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh”. (Ahzab, 71)
Syfyri është moto e këtij ummeti, është prej gjerave qe na dallojnë nga ithtarët e librit. Transmeton Imam Muslimi se Pejgamberi, alejhi’s slatu ve’s selam ka thene:
“فَصْلُ مَا بَيْنَ صِيَامِنَا وَصِيَامِ أَهْلِ الْكِتَابِ، أَكْلَةُ السَّحَر
Ajo qe dallon agjërimin tone nga agjërimi i ithtarëve te librit është ngrënia e syfyrit…”.
Ne këtë kontekst është edhe arritja e hajrit, siç thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
“لاَ يَزَالُ النَّاسُ بِخَيْرٍ مَا عَجَّلُوا الْفِطْرَ
Njerëzit vazhdojnë te dëfrehen me begati derisa ata ta kryejnë iftarin shpejt (si te hynë koha e tij e te mos presin fare)”. (Buhariu & Muslimi)
Ndërsa ne versionin e Imam Ahmedit qëndron edhe kjo shtese:
“وَأَخَّرُوا السُّحُورَ
…dhe ta vonojnë syfyrin (deri pak para se t’i dal koha)”.
Syfyri te forcon për adhurim dhe te jep me shume force për pune ngase njeriun e uritur shume shpejt e kap dembelia.
Allahu mëshiron ndërsa melaiket kërkojnë falje për ata, qe hane syfyrin. Ibni Omeri transmeton merfuan:
“إِنَّ اللَّهَ وملائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى المُتَسَحِّرِينَ
Allahu dhe melaiket e Tij bien salavat (mëshiron dhe kërkojnë falje) për ata, qe hane syfyrin”. (Transmeton Ibni Hibbani dhe Taberaniu ne El Evsat ndërsa Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen)
Syfyri te ndihmon kundër moralit te keq, i cili vjen si rezultat i urisë.
Koha e syfyrit është koha e bekuar, është kohe ne te cilën zbret Allahu ashtu siç i takon madhërisë se Tij. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
“يَنزِلُ ربُّنا تباركَ وتعالى كلَّ ليلةٍ إلى السماءِ الدُّنيا حين يَبقى ثُلثُ الليل الآخرُ يقول: مَن يَدعوني فأستجيبَ له، مَن يسألني فأُعطِيَه، من يَستغفِرُني فأغفِرَ له
Zbret Allahu i Madhëruar ne çdo nate, ne qiellin e kësaj toke, ne kohen kur mbetet 1/3 e fundit e natës, dhe thotë: Kush me lut qe t’i përgjigjem, kush me kërkon qe t’i jap, kush me kërkon falje qe t’ia fal”. (Buhariu)
Syfyri, nëse nuk është koha me e mire e kërkimit falje, megjithatë është prej kohëve me te mira te kërkimit falje. Allahu ka lëvduar ata qe kërkojnë falje ne këtë kohe e ka thënë:
“وَالْمُسْتَغْفِرِينَ بِالأَسْحَارِ
dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë”. (Ali Imran, 17),
“وَبِالأَسْحَارِ هُمْ يَسْتَغْفِرُونَ
Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet”. (Dharijat, 18) Pra, ngritja për syfyr është shkak i arritjes se këtij nderi dhe virtyteve te shumta te kërkimit falje tek Allahu për mëkatet.
Ngritja për syfyr është shanse qe te mos ik falja e namazit te sabahut me xhemat, për vlerën e te cilit askush prej nesh nuk dyshon.
Syfyri mund te shndërrohet ne adhurim, ibadet, nëse njeriu me te e ka për qellim forcimin e vetes për ibadet dhe pasim te Pejgamberit, alejhi’s salatu ve’s selam.
Kur njeriu han syfyr, atij i vjen me i lehte agjërimi dhe nuk ndien vështirësi, kështu qe kur te vjen Ramazani i ardhshëm, ai e prêt me me lehtësi dhe me mallëngjim, derisa ai, qe nuk han syfyr dhe ndien uri  me shume, me mezi nuk prêt qe te shkoje ky muaj i bekuar.
Allahu derdh mirësinë e Tij ne veprën e atij qe ngritët për syfyr dhe vërtet, ai e meriton te bekohet për pune te mira ne atë dite, ku gjen vullnet për kryerjen e farzeve, adhurimeve fakultative, kryerjen e lutjeve te caktuara kohore, respektivisht ato te mëngjesit dhe mbrëmjes, urdhërimin për te mire dhe ndalimin nga e keqja, etj. Ndërsa ai, qe nuk ha syfyrin, ndodhe qe agjërimi t’ia shtoje urine dhe ta pengoje kështu nga këto te mira.
Me një fjale, te mirat e syfyrit janë te shumta, dhe vështirë se përkufizohen ne shifër, ngase Allahu ne fenë e Vet ka lënë sekrete e urtësi, te cilat nuk i arrijnë dot mendjet tona, andaj ia vlen qe t’i përkujtojmë këto domethënie dhe botëkuptime te syfyrit si dhe tua përkujtojmë vëllezërve tanë, ne mënyrë qe te gjithë te jemi te gëzuar me shpërblimin e Allahut([1]).
[1] Burimi: www.islamway.com, Përshtati ne shqip: Sedat Gani Islami, 11 shtator 2006, e hënë, Vushtrri, Kosove

Qëllimi bazik , filozofik dhe kulmor  i agjërimit  në mësimet islame është devotshmëria, përulja dhe njohja  Zotit, gjegjësisht njohja e vetvetes, qëllimit dhe misionit kalimtar që njeriu  e ka mbi sipërfaqen e tokës.

Gjatë gjithë historisë muaji i agjërimit  është konsideruar dhe trajtuar si momentumi më i specifik për rigjenerimin  e besimit në Zotin e Madhëruar.

Domethënien dhe  vlerën e Ramazanit faktikisht nuk mund t`a kuptojnë  e as   t`a përjetojnë ata të cilët nuk e kanë të qartë konceptin dhe qëllimin e tij si dhe as ata të cilët nuk besojnë në Zot dhe në librin e   Tij të shpallur.

Abstenimi nga  pijet dhe ushqimi, i zbatuar nga besime të ndryshme  në forma dhe mënyra të veçanta gjatë historisë, është një  praktikë  e cila  vazhdimisht ka evoluar,ndërsa Kur`ani, kësaj forme të adhurimi të Zotit i ka dhënë një natyrë specifike,  duke e precizuar atë  në kohë e formë të caktuar brenda një muaj të quajtur “Ramadan “, vlera e të cilit lartësohet dhe madhështohet  drejtpërdrejtë me tekstin kur`anor,  duke e cilësuar atë si pjesë  të kalendarik të vitit hënor,  në të cilin kishin filluar shkënditë e para të dritës qiellore mbi sipërfaqen e tokës, përmes të dërguarit të Zotit, Muhammedit  a.s.

Praktikimi i agjërimit  bëhet me vullnet të lirë, me vigjilencë dhe me përkushtim nga njerëz të shëndosh mentalisht dhe fizikisht. Fëmijët nuk e kanë obligim agjërimin dhe nuk duhet detyrohen që të praktikojnë  atë. Nëse agjëruesi gjatë agjërimit pëson lodhje të pa përballueshme , për shkak të sëmundjeve, punës së rëndë fizike,  udhëtimit të gjatë ose gjendjes së dobët ose të rëndë  shëndetësore,nuk duhet të vazhdojë me të, sepse Zoti nuk e ngarkon njeriun  me të pa përballueshmen deri në kolaps. Kategoritë e lartpërmendura të cilët  nuk mund t`a përballojnë agjërimin e muajit të Ramazanit,  obligohen që   ditët e lëshuara t`i plotësojnë  përmes lëmoshës ndaj të varfërve dhe të nevojshmëve,  ose përmes zëvendësimi  të ditëve të lëshuara.

Porosia e Ramazanit për ne si shqiptarë dhe besimtarë mysliman duhet të jetë si vijon:
- Ndjekja e mësimeve fetare islame, të studiuara dhe të elaboruara   mirë dhe drejtë,  dhe jo pasimi i verbët i  ideologëve dhe ideologjive të krijuara në emër të "fesë", të cilat  janë themeluara për interesa dhe rrethana të veçanta politike dhe gjeopolitike, të vendeve dhe rajoneve të caktuara.
- Kujdesi  nga   përçarjet që dikush  mund t'i mbjell  në mesin tonë   në emër “fesë”.
- Që çdo element i ngjyrosur me  fe, qoftë  këshillë apo porosi,   i cili nxit urrejtje ndaj krijesës njeri  pa dallim, të  kuptohet  si devijim dhe zhdrejtësim i mësimeve të vërteta dhe reale  të Zotit, që nuk duhet të pasohen në asnjë mënyrë.

-Format e  ndryshme të adhurimit të Zotit tek njerëzit,   nuk duhet jenë pengesë e bashkëjetesës tonë paqësore me ta, sepse fundja gjykimi final i takon Zotit dhe jo neve.

- Të ruajmë unitetin tonë fetar të brendshëm, rrugën e interpretimit të mesëm të fesë, atë të bashkimit dhe jo  të ndarjes, linçimit apo të fyerjes  së të  tjerëve,të cilët nuk janë dhe
nuk mendojnë si ne.
- Udhëheqësit e komuniteteve tona fetare   të jenë në shërbim të fesë dhe të atëdheut dhe gjithmonë   t'i kenë në mendje rrethanat tona specifike nacionale, rajonale dhe kontinentale duke i ikur gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit.

- Të mos bëhen shpenzime të mëdha përmes  iftareve megalomane, por që në vend të tyre të rritet kujdesi për varfrit dhe nevojshmit.

-Prijësit fetar në xhami të rrisin intensitetin e informimit të besimtarëve të tyre që të mos bien në grackën e keqpërdoruesve të fesë në shërbim të  agjendave të huaja.

Për  të krijuar një ambient të qetë dhe paqësore, si  dhe për të synuar   një shoqërie të pjekur dhe të avancuar, këshillat e lartpërmendura duhet të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve dhe brezave tonë të ardhshëm.

Xhabir Hamiti

Të nderuar vëllezër musliman,

Ky program nuk është detyrues për askënd, por është një ide se si ta shfrytëzon një musliman një ditë prej ditëve të muajit të Ramazanit në adhurim të Allahut të Madhëruar.

Para agimit – imsakut

– Muslimani është e pëlqyer të falë namaz nate edhe në rast se ato janë vetëm dy rekate.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij” Zumer 9.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Ai i cili zgjohet natën për të falur namaz dhe e zgjon familjen e tij dhe të gjithë i falin nga dy rekate namaz, Allahu i shënon ata dhe ato prej atyre që e përmendin Allahun shumë.”

– Ngrënia e syfyrit duke e synuar adhurimin e Allahut dhe pasimin e Sunnetit.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Ngrihuni (të hani) syfyrin ngaqë në syfyr ka bereqet”.

– Kërkimi i faljes dhe mëshirës dhe lutjet e ndryshme deri në ezanin e sabahut.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” Dharijat 18.

Pas imsakut deri në lindjen e diellit:

– Falja e dy rekateve ( sunet ) pas përgjigjes së myezinit.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Dy rekate synet të sabahut, janë më mirë (për besimtarin ) se e tërë bota dhe çka në të”.

– Nisja e hershme për namazin e sabahut.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në namazin e jacisë dhe sabahut, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”

– Preokupimi me dua, me dhikër dhe me lexim të Kuranit deri në thirrjen e ikametit.

 Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Lutja e cila bëhet në mes të ezanit dhe ikametit nuk kthehet prapa”

– Qëndrimi në xhami pas namazit për dhikrin e mëngjesit. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, pasi falte namazin e mëngjesit (sabahut) qëndronte në faltoren e tij (duke përmendur Allahun) derisa lindte dielli.

– Falja e dy rekateve pas lindjes së diellit.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Kush e fal namazin e sabahut me xhemat e pastaj qëndron në xhami, duke e përmendur Allahun deri në lindjen e diellit, e më pas ngrihet dhe fal namaz dy rekatësh, e ka shpërblimin e haxhit dhe umres së plotë, së plotë, së plotë.”

– Bërja e gjumit duke shpresuar në shpërblimin e Allahut.

Muadhi, radijallahu anhu, thonte: Unë llogarisë në gjumin tim ashtu siç llogarisë në namazin tim gjatë natës”.

– Preokupimi me përmendjen e Allahut, azze ue xhel, gjatë tërë ditës.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Banorët e xhenetit nuk pendohen për asgjë më shumë, se sa për kohën që u ka kaluar pa e përmendur Allahun e Lartësuar”.

Pas dreke:

-Përgjigja e myezinit dhe falja e namazit të drekës në kohën e caktuar me xhemat.

Ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, na mësonte udhëzimin e tij, dhe prej udhëzimit të tij është falja e namazit në atë xhami ku thirrët ezani”.

– Dhënia e lëmoshës.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Lëmosha (Sadakaja) më e vlefshme është ajo që jepet në muajin e Ramazanit.”

– Shfrytëzimi i një pjese të kohës për pushim.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Dhe se ndaj trupit tënd ke hak.”

Pas ikindije:

– Falja e namazit të ikindijës me xhemat duke mos i neglizhuar katër rekate para saj.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Allahu e mëshiroftë atë person që i falë katër rekate para farzit të ikindisë”.

 – Dëgjimi i këshillave dhe ligjëratave pas namazit që mbahen në xhami.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Kush shkon në xhami, dhe ketë e bën vetëm për të mësuar hajrin apo për t`ia mësuar këtë dikujt tjetër, si shpërblim për këtë ka sikur ta ketë kryer haxhin e plotë”.

– Qëndrimi në xhami për dhikër dhe leximin e Kuranit.

– Interesimi për nevojat familjare dhe shtëpiake.

– Preokupimi me lutje para thirrjes së ezanit të akshamit.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Tre personave lutja nuk u kthehet prapa dhe prej tyre e përmendi agjëruesin deri sa të bëjë iftar”.

Pas akshami:

-Falja e namazit të akshamit me xhemat në xhami dhe bërja e lutjeve mes ezanit dhe ikametit deri sa të fillon falja e namazit.

– Qëndrimi në xhami për bërjen e dhikrit të mbrëmjes duke mos e harruar faljen e dy rekateve sunet ( më mirë është të falen në shtëpi ).

– Bashkimi me familjen në sofrën e iftarit dhe ngjallja e kënaqësisë në zemrat e fëmijëve duke mos e harruar falënderimin e Allahut, azze ue xhel, për begatit e dhëna dhe për plotësimin e agjërimit të asaj dite me devotshmëri dhe me mirësi.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: Dhe se ndaj bashkëshortes dhe familjes tënde ke hak.

– Përgatitja për namazin e jacisë dhe teravisë me abdesë dhe me parfumosje.

Pas jacije:

– Falja e namazit të jacisë me xhemat në xhami.

– Falja e namazit të teravisë me imam.

Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ue selem, thotë: Kush falet bashkë me imamin deri sa ta përfundojë ai (imami) i shkruhet atij sikur të ketë falur namaz të natës”.

– Ndeja familjare dhe vizita e farefisit dhe shokëve, duke u kujdesur që ambientet të jenë imanore dhe të dobishme.

O ti agjërues,

Qëllimi i këtij programi është:

Mënyra dhe forma shembullore për një musliman se si ta shfrytëzon një ditë prej ditëve të muajit Ramazan ashtu siç e meriton me të vërtet ajo ditë. Muslimani duhet ta shfrytëzon çdo orë të asaj dite në nënshtrim, në adhurim, ose duke i bërë dobi të tjerëve dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut.

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”

Imam Nahaiju, Allahu e mëshiroftë, e përshkruan një ditë të Ramazanit dhe thotë: “Agjërimi i një dite në Ramazan është më i mirë se njëmijë ditë, lartësimi i Allahut në atë ditë është më i mirë se lartësimi i Allahut në njëmijë ditë tjera, dhe një rekat i asaj dite është më i mirë se njëmijë rekate tjera.”

Pra një ditë e Ramazanit konsiderohet shans e përshtatshme dhe mejdan i gjerë për afrim tek Allahu me nënshtrime dhe adhurime të ndryshme, dhe padyshim se shpërblimi i adhurimit të asaj dite do të jetë më i madh.

Prandaj ti o vëlla musliman, në rast se ke mundësi që në këtë muaj askush mos të konkurron në adhurim dhe në afrim kah Allahu, atëherë vepro.

E lus Allahun, azze ue xhel, që ta rrit sinqeritetin në thëniet dhe veprat tona, dhe të na ndihmon në përmendjen dhe adhurimin e Tij.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe falënderoni shumë Atë nëse ua mundëson që ta arrini muajin e Ramazanit dhe kërkoni prej Tij që t’ju begaton e ta shfrytëzoni këtë muaj në agjërim, namaze vullnetare dhe adhurime tjera. Ramazani është sezon i madhërishëm dhe mejdan i gjerë në veprimin e mirësive dhe faljen e gjynaheve. Njiheni vlerën e tij dhe madhëroni çështjen e tij dhe pajiseni vetveten në këtë muaj me vepra të mira dhe mirësi.

Agjërimi i muajit Ramazan është një prej shtyllave të Islamit dhe detyrë e çdo muslimani. Allahu urdhëroi në agjërimin e tij dhe ia detyroi çdo robi të Tij duke thënë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi”. Bekare 183,dhe “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”. Bekare 185.

Detyrohet çdo musliman i rritur dhe me mendje të shëndoshë ta agjëron muajin e Ramazanit. Nëse është i sëmurë me sëmundje që ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit apo është udhëtar në rrugë të gjatë lirohet prej agjërimit dhe ato ditë i zëvendëson me ditë tjera: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar”. Bekare 185. Nëse është në pleqëri të thellë apo i sëmurë me sëmundje që s’ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit, atëherë ai nuk agjëron dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër dhe nuk i zëvendëson ato ditë me ditë tjera: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”.  Bekare 184. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I është lehtësuar të moshuarit në vite që nuk mundet t’i përballon agjërimit të mos agjëron dhe ta ushqen nga një të varfër për çdo ditë”.

Gruaja me menstruacione dhe lehona nuk u lejohet të agjërojnë dhe ato ditë që nuk i agjërojnë i zëvendësojnë me ditë tjera. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj,  kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, alejhi salatu ue selam.

Fëmija i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk është i detyruar të agjëron, mirëpo nëse ka mundësi t’i përballon agjërimit e urdhërojmë që të agjëron me qëllim që të kalitet dhe ta stërvit shpirtin në adhurim dhe agjërimi i tij i pranohet si vullnetar.

O ju robërit e Allahut, me agjërim nënkuptojmë abstenim apo përmbajta nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet bashkëshortore për hir të Allahut, prej imsakut e deri në perëndimin e diellit. Allahu, azze ue xhel, thotë:” Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat”. Bekare 187.

Allahu na qartësoi në këtë ajet se fillimi i agjërimit është prej agimit e deri në perëndimin e diellit. Për këtë arsye Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nxiti që të vonohet syfyri dhe të përshpejtohet iftari me qëllim që të përfundon syfyri me agim dhe të fillon iftari me perëndimin e diellit dhe me këtë t’i përshtatet urdhrit të Allahut dhe dispozitave të Tij. Nuk është prej traditës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ngrënia e syfyrit herët dhe vonesa e iftarit pas perëndimit të diellit. Poashtu nuk lejohet ngrënia e syfyrit pas agimit dhe ngrënia e iftarit para se të perëndon dielli dhe ai që e vepron këtë me qëllim nuk i pranohet agjërimi.

Agjërimin e prish ngrënia dhe pija me qëllim dhe çdo gjë që ka të njëjtat efekte si ushqimi dhe pija, si barnat, gjilpërat me vitamine, etj. Poashtu e prish të vjellët qëllimisht, por nëse ndonjë vjell pa qëllim, kjo nuk e prish agjërimin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kujt i përzihet dhe vjell nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë” dhe “Kush vjell me qëllim, duhet ta plotësojë (agjërimin) më vonë”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe nxjerrja e gjakut me hixhame ose pastrim gjaku.  I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhamen dhe atij që i bëhet hixhamja”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe dalja e spermës për shkak të ledhatimit apo puthjes, masturbimi, menstruacionet dhe lehonia.

Poashtu prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës së agjërimit. Ai i cili e bën këtë vepër duhet ta zëvendëson atë ditë me ditë tjetër dhe të shpaguan. Shpagimi është lirimi i një robi, nëse nuk ka mundësi agjërimi i dy muajve njëri mbas tjetrit, nëse nuk mundet atëherë ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve. Përjashtohet nga ajo që përmendëm rasti kur bashkëshortët janë udhëtarë dhe kryejnë marrëdhënie duke qenë agjërueshëm, sepse agjërimi për udhëtarët nuk është i detyruar, për ata kërkohet që ta kompensojnë këtë ditë pas Ramazanit.

O ju musliman, gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin janë perceptuese dhe ai që i vepron detyrohet me kaza. Ekzistojnë edhe gjëra morale që e dëmtojnë agjërimin duke ia humbur shpërblimin apo pakësuar dhe vepruesi i saj nuk detyrohet me kaza. Prej tyre është përgojimi, bartja e fjalëve, sharja, ofendimi, shpifja, shikimi në atë që e ka ndaluar Allahu të shikojmë, dëfrimi me muzikë dhe instrumente muzikore, etj.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shanë ndokush ose e sulmon, le të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë”.

Nëse agjëruesi hanë apo pinë me harresë nuk i prishet agjërimi. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush harron gjatë agjërimit e pinë dhe han, le ta vazhdojë agjërimin sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”

Agjëruesit i lejohet të nuhat erën e parfumeve, kjo nuk ndikon në agjërimin e tij. Poashtu i lejohet të flladitet me ujë duke e shpërlarë gojën ose duke e larë kokën ose duke e larë tërë trupin ose duke hyrë në një vend të ftohët për arsye se kjo i ndihmon gjatë agjërimit. Nëse i depërton pluhuri apo avulli apo ndonjë insekt në gojë nuk i prishet agjërimi për arsye se kjo ndodh pa dëshirën e tij.  Nëse dikush ka rrjedhje gjaku nga hundët apo nga dhëmbët edhe kjo nuk e prish agjërimin, pasi kjo nuk është në dorën e njeriut, është diçka e paqëllimshme. Nëse dikush e nxjerr dhëmbin dhe del gjak edhe kjo nuk e prish agjërimin.

O ju musliman, ruani agjërimin e juaj prej gjërave që e prishin agjërimin. Veproni vepra të mira, shpeshtoni lutjet, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit në këtë muaj dhe jeni të sinqertë në të gjitha veprat e juaj dhe kërkoni prej Allahut që t’ua pranon veprat.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

Urime Kurban Bajrami