Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit arrestoi tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS në afërsi të liqenit të Badovcit. Por, a po planifikonin këta të dyshuar të kryenin sulm te ky liqen, me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha, që do të reflektonin në jetën e qindra mijëra qytetarëve. 


Në një dokument të siguruar nga lajmi.net, organet e rendit në Kosovë, ngrisin alarmin se policia duhet të fillojë me rritjen e masave të sigurisë, pasi sipas informacioneve të tyre, në vend po planifikohen sulme terroriste. Aty kërkohet që masat e sigurisë të rriten me theks të vecantë në afërsi të liqeneve artificiale dhe fabrikave të ujit, pasi kishin informacione, se ato mund të ishin cak i terroristëve.


Policia e Kosovës bazuar në rrezikun e lartë që mund t’i kanoset nga përgatitjet për sulm terrorist nga pjesëtarë të ISIS-it, ka kërkuar nga zinxhiri komandues shtim të lartë të vigjilencës në Prishtinë.


“Të rritet vigjilenca e policisë në pika të kontrollit në hyrje dalje të qyteteve. Të ngriten masat e sigurisë përgjatë liqeneve artificiale si dhe fabrikave të përpunimit të ujit që furnizojnë ujësjelsin nëpër qytete nga liqenet artificiale. Të kontaktohen personat përgjegjës të institucioneve që menaxhojnë me ujësjellësit në Kosovë në mënyrë që personat përgjegjës për siguri të jenë më të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të personave afër liqeneve dhe fabrikave të përpunimit të ujit”, thuhet ndër të tjera në këtë rekomandim, që struktura komanduese e Policisë së Kosovës, u rekomandon vijave tjera të policisë.


Krejt këto masa të ndërmarra nga policia e Kosovës vijnë pas zbulimit se një shtetas i Maqedonisë i kombësisë shqiptare që aktualisht gjendet në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, në bashkëpunim me persona të tij të besueshëm, po përgatiste sulme në Kosovë e Maqedoni.


Policia në këtë dokument të sigurua nga lajmi.net, thotë se bëhet fjalë për personin B.F. nga Maqedonia, i njohur me nofkën (Ebu Usama) me të cilën identifikohen në konfliktet e Lindjes së Mesme.


Në bisedën e B.F. me persona ende të pa identifikuar, potencohet qëllimi i tij që të organizojnë sulme në Shkup e Prishtinë, përmes së cilave do të shkaktoheshin dëme të mëdha materiale dhe pasoja në njerëz, pa dallim religjioni.


Caqet e sulmeve, sipas Fidanit, do të ishin infrastruktura e ujësjellësit dhe liqenet artificiale.


I pyetur lidhur me këtë dokument, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, ka hezituar të jep detaje, por ka thënë se mobilizimi i pjesëtarëve të PK-së ka ndodhur ditë më parë, duke mos treguar hollësi të mëtutjeshme.


“Ne si Polici e Kosovës e kemi bërë të ditur përmes njoftimeve se kemi rritur nivelin e gatishmërisë për të ofruar një siguri më të lartë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kelani për lajmi.net.


Ai nuk ka komentuar nëse rasti i arrestimit të sotëm i tre personave afër liqenit të Badovcit, afër Prishtinës, ka të bëjë me kërcënimin i cili është identifikuar në këtë dokument të PK-së. /lajmi.net

Institucionet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë kanë marrë informata se njerëz të afërt me liderin e shqiptarëve të ISIS, Lavdrim Muhaxheri, kanë urdhëruar njerëzit e tyre në Kosovë dhe Maqedoni që të kryejnë sulme terroriste në Prishtinë dhe Shkup.
Lajmi.net e ka siguruar komunikimin në mes të personave përgjegjës për sigurinë në vend, ku urdhërohet Policia e Kosovës që t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve.


Në këtë komunikim i tregohet policisë se një person shqiptar nga Maqedonia (emër i njohur për policinë, e në këtë rast edhe për lajmi.net), i cili aktualisht ndodhet në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, dhe që është shumë i afërt me Lavdrim Muhaxherin, ka kontaktuar me individë të besueshëm të tij për sulme të mundshme gjatë muajit qershor në Kosovë dhe Maqedoni.


Institucionet e sigurisë në Kosovë, momentalisht nuk janë në dijeni të identitetit të personave të kontaktuar nga bashkëpunëtori i Lavdrim Muhaxherit, por besojnë se ata kanë eksperiencë në xhihadin e dhunshëm.
Në këtë komunikim, të cilin e kanë siguruar institucionet e sigurisë në Kosovë, personi i afërt me Lavdrim Muhaxherin ka porositur njerëzit e tij në Kosovë dhe Maqedoni se gjatë sulmeve terroriste në Prishtinë dhe Shkup, duhet të shkaktohen sa më shumë dëme materiale dhe pasoja në njerëz pa dallim religjioni.


Ata edhe pse kanë potencuar Prishtinën dhe Shkupin, si dy qendrat më të mëdha në rajon, kanë thënë se sulmet nuk duhet kufizuar vetëm aty.


Policia i ka të ditura edhe objektivat e parapara për sulm nga xhihadistët, që përbëjnë pika të rëndësishme për funksionimin e jetës së qytetarëve.

Me këtë rast Policia e Kosovës është rekomanduar që të rris vigjilencën, duke përmendur edhe lokacionet se ku duhet të fokusohet më shumë. Ky kërcënim vjen disa ditë pasi xhihadistë nga Ballkani, duke përfshirë edhe shqiptarë, që luftojnë në Siri dhe Irak, lëshuan një kërcënim përmes një videoje për këtë pjesë të rajonit, duke paralajmëruar sulme, që sipas tyre do të përfshinin Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë e Malin e Zi. (lajmi.net)

Burime brenda institucioneve të sigurisë në Kosovë, janë duke e hetuar mundësinë, nëse cak i sulmit terrorist në Prishtinë, që po pergatitej nga një serb nga Beogradi, mund të ketë qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili sot vizitoi kryeqytetin e Kosovës. 


Një makinë e mbushur me eksploziv është ndaluar të enjten në mbrëmje nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku ndodhen selitë e Ambasadës Amerikane dhe disa përfaqësi të huaja diplomatike.


Makina e tipit ‘Renault Clio’ me targa të Beogradit, si dhe materiali eksploziv është konfiskuar nga Policia, ndërsa shoferi me inicialet S.G. me nënshtetësi nga Serbia është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Edhe pse aksioni policor është zhvilluar në lagjen ku janë të vendosura disa ambasada të huaja, në Polici thonë se rasti nuk mund të ndërlidhet me ndonjë sulm terrorist apo sulm ndaj ambasadave.

Por burime nga institucione te sigurisë, po verifikojnë edhe informacione të bazuara që flasin se objektiv sulmi mund të ketë qenë hoteli ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama, raporton televizioni Top Channel.


Nuk dihet nese ndryshimi i axhendes se Kryeministrit shqiptar, moshkuarja mbreme ne Prishtine, por vetem sot ka lidhje me kete rast. Zyrtarisht policia e Kosoves hedh poshtë çdo version sepse hetimet përfundimtare do të tregojnë motivet e vërteta të sulmit.
Hetuesit policorë që po merren me këtë rast kanë treguar me kushte anonimiteti për Top Channel, se materiali eksploziv brenda makinës ka qenë në transportim e sipër dhe i njëjti, pas përgatitjes, do të mund të hidhej në erë me telekomandë për ndonjë sulm terrorist, pasi materiali ka qenë i ndarë në 10 njësi të veçanta.


Edhe pse zyrtarisht nuk behet i ditur se për çfare lloj materiali eksploziv bëhet fjalë, sipas hetuesve të rastit mund të jetë shumë i rrezikshëm nëse do të përdorej në hapësira të mbyllura ku ka njerëz.


“Policia e Kosovës paraprakisht ka zotëruar informacion inteligjent lidhur me veturën e dyshuar dhe mundësinë e qarkullimit të sajë drejt Prishtinës. Realisht vetura e cila është ndaluar nga njësitë policore ka qenë veturë në lëvizje dhe ka qenë materia duke u transportuar. Nuk mund të themi për ndonjë sulm terrorist të mundshëm, mirëpo mund të themi që është një materie e përpunuar, e cila ka qenë e mbështjellë në disa pjesë dhe që mund të përdoret si materie e rrezikshme eksplozive”, tha Kelani.


Kelani ka treguar se makina e mbushur me lëndë eksploziv ishte nën vëzhgim policor para se të ndalohej pasi sipas tij informacionet për të ishin marrë nga Agjencia Inteligjente. Po ashtu mësohet se makina e ndaluar në Prishtinë kishte ardhur nga Serbia në Kosovë përmes veriut të Mitrovicës. Prokuroria Speciale e Kosovës urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale:
“Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Top Channel)

 

Urime Kurban Bajrami