Ahmeti: Reduktimi i buxhetit për 5 milion euro, i papranueshëm

Komuna e Prishtinës për vitin 2015 do ta ketë buxhetin e reduktuar për rreth 5 milionë euro, si pasojë e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë – ku për Prishtinën nxjerri shifrën prej 197 mijë banorë.

Por, kjo shifër, sipas Shpend Ahmetit, Kryetarit të Prishtinës, bie ndesh me numrin aktual të banorëve që jetojnë në Prishtinë.

Sipas tij, shifrat e banorëve nuk përkojnë me numrin e nxënësve nëpër shkolla e as me numrin e orëve të rrymës dhe të ujësjellësit të cilat tregojnë sa njësi banesore janë.

 

Ahmeti thotë se nuk janë marrë parasysh as studentët që jetojnë në Prishtinë, që mendohet të jenë rreth 40 mijë, e as administratën publike e cila e shton numrin e njerëzve gjatë ditës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një dëgjim publik me banorët e lagjes Mati në Prishtinë, ka thënë se “diku 5 milionë reduktohet granti i përgjithshëm. Ministria, në qarkoren buxhetore, ka thënë se nuk do t’ua japim, por na ka rritur të hyrat vetanake, gjeni ju paratë për të hyrat vetanake, në mënyrë që ta mbani buxhetin e ngjashëm me atë të vitit të kaluar”.

“Pritet sipas qarkores së dytë të diskutojmë me Qeverinë për numrin e banorëve rreth 197 mijë me 380 mijë dhe rrjedh se buxheti parashihet të jetë rreth 62 milionë euro për vitin 2015.
Mendojmë se duhet të jetë shumë më i madh, përkatësisht se duhet ta marrim edhe një grant për Kryeqytetin, që ajo shumë e cila na është hequr të bëhet një grant për qëllime specifike që i nevojiten qytetit”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/

Artikel bewerten
(1 Stimme)