Bajrami: Kosova ka nevojë për ndihmën e Britanisë në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Me të ai ka biseduar për reformat që janë duke u bërë në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ministri Bajrami e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e madhe që ka dhënë vendi i tij për Kosovën, sidomos në fushën e arsimit. Ai ka theksuar se edhe më tutje vendi ynë ka nevojë për ndihmën e Britanisë, sidomos tani kur kanë filluar reforma në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë.

Duke folur për arsimin parauniversitar, ministri Bajrami theksoi se mbetet prioritet orientimi i të rinjve kah arsimi profesional, ndërsa theksoi se në arsimin e lartë është në debat publik Ligji i ri, i cili i jep autonomi të plotë universiteteve publike, ndërsa rregullon edhe sektorin privat të arsimit të lartë.

Ministri Bajrami falënderoi Britaninë e Madhe, respektivisht Këshillin Britanik, i cili ka ndihmuar Kosovën me përgatitjen e kuadrove përmes bursave për shkollim në universitetet britanike. Ai theksoi nevojën e përkrahjes edhe më tutje në këtë drejtim, sidomos në përgatitjen e kuadrove për shkencat ekzakte dhe teknologjike.

Ambasadori O’Connell konfirmoi mbështetjen që do ta ketë edhe më tutje arsimi kosovar nga Britania e Madhe dhe kjo mbështetje do të jetë e orientuar në arsimin e lartë, por edhe në atë parauniversitar, me theks të veçantë, arsimin profesional.

Artikel bewerten
(0 Stimmen)