Identifikohen 16 persona, nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ka bërë identifikimin edhe të 16 personave, viktima të luftës së viteve 1998 -'99, në Kosovë. Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, është njoftuar përmes Kryesueses së Grupit Punues për Persona të Zhdukur, nga Komisioni Qeveritar i Serbisë, mbi identifikimin edhe të 16 personave, nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga varreza masive në Rudnicë, të Rashkës. 

 


Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur për Reporteri.net, se priten edhe identifikime të reja në ditët dhe javët në vijim, gjithnjë duke pasur parasysh numrin e mostrave të mbetjeve mortore, të zhvarrosura nga lokacioni i varrezës masive në Rudnicë, të Rashkës, e të dërguar për analizë të ADN-së, në fund të muajit qershor, të këtij viti. 


Sipas Kushtrim Garës, përmes ”Sektorit për Komunikim me Familjarë në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, fillimisht do të njoftohen familjet përkatëse të personave të zhdukur, të identifikuar, gjithnjë në respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës. Dhe varësisht nga kërkesa dhe vendimet e tyre do të procedohet tutje, në kuptimin e caktimit të datës për fillimin e procedurave  të riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të identifikuar”. (reporteri.net)

Artikel bewerten
(1 Stimme)