Skandali: Ja si shiten terminet për viza

Agjencitë e ndryshme në Kosovë të mirëinformuara, po arrijnë të rezervojnë termine, të cilat edhe pse lëshohen falas nga Ambasada Gjermane, ata po i shesin nga 50 deri në 500 euro,

Ndonëse kjo nuk garanton se ai që paguan paratë për termin, mund të pajiset me vizë. Gazetarja e RTK-së, Leonora Bërbatovci dhe kameramani Bedri Meha, ka hulumtuar këtë tregti me termine dhe sjell kronikën në vazhdim.

Në ambasadën gjermane nuk ka as edhe një termin të lirë për 5 muajt e ardhshëm. Ato ka kohë që janë zënë. Agjencitë private po tregtojnë terminë dhe po keqpërdorin sistemin elektronik të krijuar nga Ambasada gjermane. Kjo ka kohë që po ndodh.

"Qytetarët e Kosovës në të shumtën e rasteve duhet tu drejtohen agjencive pivate pranë ambasadave për të caktuar një termin për vizë. Ata shumë herë duhet të paguajnë shuma të majme të parave për të caktuar termin për vizë duke qenë se në ambasadas nuk ka termine të lira".

E për më keq, Ambasada nuk ndërhyn edhe pse shitja e termineve bëhet përballë ambasadës gjermane. Madje edhe me shpallje.

Burime të RTK-së brenda ambasadës gjermane thonë se ata nuk kanë ndonjë marrëveshje me këto agjenci që shesin termine të cilat, në fakt janë pa pagesë. Por, e gjithë çfarë konfirmon ambasada gjermane në Prishtinë është se terminet caktohen online në faqen zyrtare të ambasadës.

Marten Menger, zëdhënës i ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë tha: "Ambasada gjermane liron terminet për aplikim për vizë online n ë faqen internetit www.pristina.diplo.de. Të intëeresuarit për vizë afariste dhe për vizë sezonale mund të rezervojnë aty një termin në cdo kohë. Terminet për viza turistike lëshohen cdo të mërkurë në orën 9 të mëngjesit"

Mirëpo të mërkurave në orën 9 të mëngjesit kur edhe bëhet lirimi i disa termineve, gara zhvillohet mes agjencive për t'i zënë këto termine. Ndërkohë, qytetarët e kanë të pamundur ta rezervojnë një të tillë. Se si zihen këto termine, RTK në mënyrë fshehur ka realizuar bisedë me punëtoret e disa prej agjencive që ndodhen përballë ambasadës.

Punonjësja e agjencisë: Për bashkim familjar mbyllet për 3-4 sekonda sistemi që është online.

Gazetarja: A i caktoni ju në bashkëpunim me ambasadën apo kështu në mënyrë private?

Punonjësja e agjencisë: Jo veç agjencitë private. Por ka këtu që janë në bashkëpunim me ambasadën dhe po marrin pare të mira. Janë ra ata dhe na kanë marrë në qafë edhe neve...

Gazetarja: Me ambasadën si ambasadë apo me punonjës?

Punonjësa e agjencisë: Me shqiptarë aty, edhe ai shqiptar ka bashkëpunim me gjermanin aty sepse marrin pare të mira e pastaj pse mos me blloku aty sistemin sepse unë s’mundem me bo, ti prej shpie s'mundesh me bo edhe vjen ktu edhe thu s’ka problem t'i jap sa të duash veç kryma"

Mirëpo edhe kur i ke paratë, blerja e një termini nuk është e sigurt. Aq të mëdha janë kërkesat sa agjencitë shpesh nuk kanë termine të lira, qoftë edhe nëse një qytetar u ofron deri ne 500 euro për një të tillë.

Punonjësa e agjencisë: "Unë për shembull ndodh brenda ditës 50 veta i kthej që s’mundem me jau bo edhe s'jau marr. Qitash e kisha një rast për në dhjetor më tha pres 3 muaj dit por s'e di kur mundem me jau bo... dhe me jau marrë paret s’mundesh me jau marrë kur s’e din kur ua bën. Ama diqysh po duket gjynah me jau marrë, s'po duken pare hallall"

Në fakt, çmimet e termineve nuk janë fikse. Ato luhaten varësisht nga halli i qytetarit dhe kërkesat që kanë.

Qytetari: Po blejnë, po shesin..

Gazetarja: Ka sa po shkojnë terminet?

Qytetari: Nuk e di..veç e kom ndi që deri 100 euro, a kush qysh – s'e di se s'jom interesu.

Punonjësa e agjencisë: Shumë po ka kërkesa. Po ka këtu që paguajnë 300, 500 gjithfarë çmimesh...

Agjencia 2

Gazetarja: Deshta me ju pyet për termin se e pashë që i caktoni...
Agjencia: Po për çfarë termini?

Gazetarja: Për bashkim familjar.
Agjencia: Deri në fund të tetorit s'ka termine. Edhe ato janë në pikëpyetje.

Gazetarja: Pse a shumë po ka kërkesa a?
Agjencia: Po 3 sekonda zgjat.

Gazetarja: E qysh 3 sekonda?
Agjencia: Kërkesa e madhe vende pak. 3 sekonda termine, 1 herë në javë.

Gazetarja: E sa po kushton ?
Agjencia: Sa persona jeni?
Gazetarja: 1 person

Agjencia: 1 person kompletimi me gjithë termin është 100 euro

Gazetarja: E termini kur caktohet a është i sigurt?
Agjencia: Po, po i sigurt është. Konfirmimin e merr.

Gazetarja: A ju e bëni konfirmimin a?
Agjencia: Neve na vjen - ty ta dhojna.

Gazetarja: A juve ju vjen. Prej ambasadës a?
Agjencia: Po po.

Qytetarët para kamerës së RTK-së hezitojnë të flasin për haraçin që po paguajnë, qoftë edhe për një termin të thjeshtë vize, pasi frikësohen se mund të ndikojë në dhënien ose jo të vizës. Ndërkohë, shitja e termineve bëhet para dyerve të ambasadës dhe në mënyrë të hapur, trend që duket se do të vazhdojë deri në kohën kur kosovarët me pak shpresë, presin që një ditë do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së. / RTKLive.com

Artikel bewerten
(1 Stimme)