Të ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, ekzekutivi dhe legjislativi i vendit pritet t’i kthehen sërish përpjekjeve për themelimin e Gjykatës Speciale.

Të premten e kaluar, Kuvendi dështoi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate. Por analistët politikë rekomandojnë që mos të përsëritet e njëjta që ndodhi në atë seancë, ngase sipas tyre, kjo Kosovës do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare.

Themelimi i Gjykatës Speciale është detyra më e madhe me të cilën është ballafaquar Qeveria e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, themelimi i kësaj gjykate mbetet kushti kryesor për vazhdimin e raporteve të mira të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se nëse nuk kalohet ky test, do të ketë pasoja shumë të mëdha për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës. Ai thotë se nuk bën të përsëritet ajo që ndodhi në seancën e javës së kaluar.
“Ajo që ndodhi të premten ishte një neglizhencë e liderëve kosovarë dhe ishte një episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjë që nuk guxon të përsëritet në të ardhmen. Pra shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsërit atë gabim të së premtes, i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se institucionet nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe se duhet ta themelojnë Gjykatën Speciale, pasi që është obligim ndërkombëtar, të cilin madje edhe një pjesë e opozitës e ka përligjur kur ka votuar letërkëmbimin e presidentes Jahjaga me ish shefen e diplomacisë evropiane.
“Sa më herët që ne çlirohemi nga barra e së kaluarës aq më mirë për ne, për shkak se do të mund të shkojmë tutje dhe absolutisht për ne, sidomos në këtë kohë shumë të ndijshme, edhe për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesat e kujtdoqoftë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Mushkolaj thotë se Kosova ka humbur shumë gjatë viteve të pasluftës duke mos marrë iniciative për themelimin e një gjykate që do të merrej me krimet e luftës, ndërsa propozimin e opozitës pas dështimit të votimit në Kuvend, e quan të vonuar dhe qesharak.
“Propozimet shumë të vonshme të opozitës për mua janë qesharare, për faktin se edhe opozita priti se çfarë po ndodhë në Kuvend, në mënyrë që të dalë me propozime konkrete”, tha Mushkolaj.
Ndryshe, pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën e javës së kaluar, është rritur presioni ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale. Me këtë presion është përballur kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës në Berlin ku u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. E në të njëjtën kohë mesazhin amerikan për themelimin e kësaj gjykate, tek presidentja e Kosovës dhe institucionet tjera, e përcolli përfaqësuesi i Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. / RTKLive

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar riprocedimin për në Kuvend të amendamentit 24, që dërgon në ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kurse opozita është përgjigjur se një gjë e tillë nuk është e mundur pa ndryshuar formati i kësaj gjykate.

Njohësit e rrethanave politike në vend i kanë ftuar të dyja palët të gjejnë një kompromis për këtë çështje, në mënyrë që Kosova ta përmbushë obligimin ndërkombëtar për themelimin e kësaj gjykate, shkruan Epoka e Re.

Analistët thonë se janë befasuar me mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese të premten në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se mosvotimi i kësaj gjykate mund ta izolojë Kosovën.

Analisti politik Behxhet Shala ka deklaruar për Epokën e re se themelimi i Gjykatës Speciale është përgjegjësi e pozitës dhe opozitës, duke shtuar se drejtësisë askush nuk mund t’i ikë.

“Mendoj se është dashur të jetë një konsensus paraprak, para votimit, midis pozitës dhe opozitës, e jo tash, pasi ka dështuar, pozita t’i dërgojë ftesë opozitës, duke deklaruar se kjo çështje është e përgjithshme dhe duhet të merren vesh”. /epoka e re/

Megjithëse Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, Qeveria e vendit do t’i riprocedojë në Kuvend për votim këto amendamente në mënyrë që institucionet e vendit ta themelojnë Gjykatën Speciale dhe ta evitojnë dërgimin e kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kjo është bërë e ditur edhe nga drejtuesit e Qeverisë, kryeministri, Isa Mustafa, dhe nga zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, të cilët kanë thënë se në ditët në vijim ekzekutivi i vendit do të bashkërendojë aktivitetet me Kuvendin dhe me grupet parlamentare në Kuvend, në mënyrë që të miratohen këto amendamente dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të Speciales, pasi ata kanë vlerësuar se themelimi i saj është jetike për shtetin e Kosovës.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se ky opsion mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët nuk dëshirojnë që kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit. Në anën tjetër partitë opozitare kanë thënë se riprocedimi i këtyre amendamenteve në Kuvend është e papranueshme dhe se, sipas tyre, Kuvendi i Kosovës përmes mosmiratimit të tyre ka mbrojtur sovranitetin e shtetit. / Reporteri

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, tha para deputetëve se Kosova sot po fillon një proces jo të lehtë, që ka të bëjë me pastrimin e luftës së UÇK-së.

Sipas tij, Kosova është para dy mundësive, që të themeloj vet këtë gjykatë me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të përmbyll njëherë e përgjithmonë këto pretendime për një periudhë kohore prej 5 vitesh, ose në rast të dështimit, ekziston mundësia e dytë që kjo çështje të shkoj në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Jemi të vetëdijshme që Serbia ka vrarë mbi 12 mijë qytetar, se ushtarët e forcat policore serbe kanë dhunuar 20 mijë gra, se Serbia ka dëbuar me dhunë mbi 1 milionë qytetar nga Kosova, se ka 1600 të zhdukur nga konflikti e që shumica e tyre janë shqiptar”, tha Thaçi.

Ai tutje tha se Kosova për herë të pestë po përballet me pastrim të luftës së UÇK-së dhe me hetim të ushtarëve të UÇK-së.

Sipas tij BE do të shpenzoj 300 milionë euro për krimet e supozuara gjatë luftës së f undit në Kosovë dhe Kosova, sipas tij, ka nevojë që të pastrohet nga ky etiketim i panevojshëm dhe i padrejtë, ndonëse Thaçi tha se në të gjitha luftërat ka pas lëshime dhe krime.

Ai ftoj deputetët që të votojnë pro kësaj gjykate. / RTKLive

Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj në emisionin Debat në RTK ka thënë se janë kundër themelimit të Gjykatës Speciale sepse sipas tij ajo prek sovranitetin e vendit.

Ish-komandanti i UÇK-së që nga Gjykata e Hagës ishte akuzuar për krime lufte dhe ishte shpallur i pafajshëm tha se duhet të gjykohen individë që kanë kryer krime të mundshme gjatë luftës por që ajo mos të jetë selektive.
Limaj është i bindur se të gjithë ata që sot mendojnë ndryshe nga ai sa i përket Gjykatës Speciale dikur do të zhgënjehen. RTKLive.com