Sipas familjarëve ai ka punuar si taksist, ku e ka kryer vetëm punën e tij dhe nuk ka pasur të bëjë asgjë me këtë akt.
Bastri Musa, vëllai i Fehmiut, flet për kallxo.com për mënyrën e arrestimit të të vëllait.
“Fehminë e kanë arrestu në banesë, nuk e kanë arrestu n’Badovc qysh po flitet nëpër media. Fehminë e ka thirr njani prej atyne qe jon kon më Badovc, e ka thirrë me ardh e me marr se e ka firmën taksi domethanë ky. Me ardhë më marr edhe me kthye në Hajvali. U shku Fehmia e ka marr e ka kthye në Hajvali më Prishtinë. Policia domethanë i kanë përcjellë krejt, masanej e kanë kap edhe Fehminë në banesë i kanë shku edhe e kanë arrestu”.
Ai thotë qe Fehmiu nuk kishte miqësi me Gazmend Halitin, i cili dyshohet të ketë ikur nga vendi i ngjarjes para arritjes së policisë, dhe të cilin dyshohet ta ketë ndihmuar Fehmi Musa.
“Jon njoftë si pasagjerë kshtu, po jo kshtu me lidhje t’thella”.
Por, Halil Palaj, avokat i të arrestuarit Fehmi Musa, deklaron ndryshe.
“Gazmend Halitin e njeh nëpër mes gruas së tij. Gratë e tyre kanë qenë para disa muajve në spitalin e Prishtinës. Jo që kanë shoqni”.
Ai shprehet që aktakuza e ngritur është e pabazë.
“Nuk ka argumente, fakte dhe prova që të e mbështesin dyshimin e bazuar që i njëjti ka kryer veprën penale që pretendon prokuroria speciale”.
Palaj thotë që nëse klienti i tij do të ishte i përfshirë në këtë ngjarje, ai do të ikte diku tjetër e nuk do të kthehej në shtëpinë e tij. Po ashtu, ai thotë që Gazmend Haliti nuk e pranon që Fhmi Musa e ka vozitur, por ky i fundit nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
Ndërsa sa u përket tre të tjerëve të cilët u arrestuan, avokati deklaron që klienti i tij nuk e njeh asnjërin prej tyre, ndërsa i vëllai thotë që nuk e di nëse ata njiheshin më parë.
Ndryshe Bastri Musa deklaron që Fehmiu dhe ISIS nuk kanë pikë të përbashkët.


- A ka pas lidhje Fehmi Musa me ISIS-in?


- Jo nuk ka t’boj me kto sene hiq.


- E më muhabetet me të, cili ka qenë qëndrimi i tij për ISIS-in?


- Nuk i ka përkrah kshtu ku me dit sa.


Por profili në Facebook i Fehmi Musës tregon një tjetër histori. Janë të shumta foto që ai ka publikuar që lidhen direkt me këtë organizatë.


Këtu bën pjesë edhe një foto, ku paraqitet një montazh i Qabesë, mbuluar me flamurin e ISIS. Komenti i Fehmi Musës mbi këtë foto është “Shpresojmë që së shpejti Qabeja të duket kështu”.


Feim Keqekolla, mik i Fehmi Musës, deklaron që për ISIS-in nuk kanë biseduar kurrë.
“Me Fehminë për punën e ISIS-it na nuk kena bisedu kurr se s’jena kon të interesum për me hi ne këtë bisedë me to”, thotë Keqekolla.


“Fehminë e njoh qe 6 vite 7 si vlla mysliman. Fehmia u kanë shumë njëri i mirë. Namaz ka falë për tjetër sen nuk di qe ka pas diçka t’keqe për to”, shton ai.
Fehmi Musës i janë konfiskuar rreth 2000 euro, shtëpiza e kompjuterit dhe gjëra tjera personale gjatë arrestimit të tij në banesën e tij në Fushë Kosovë.


Në aksionin e datës 11 korrik janë arrestuar edhe Besnik Latifi, Enis Latifi, Milazim Haxhia dhe Gazmend Haliti më drejtim të veprës penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në vend. /Kallxo.com

 

Arrestimin e tre personave në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme si të dyshuar për pjesëmarrje në vepra të terrorizmit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.


Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani ka thënë se në mesnatë rreth orës 01:40 kanë arrestuar personat e dyshuar të cilët po udhëtonin me dy vetura në magjistralen Prishtinë-Gjilan. Njëra veturë e tipit Golf 2 ngjyrë të kuqe si dhe tjetra Pasat po ashtu ngjyrë e kuqe.


“Ju njoftojmë se më datë 11.07.2015 rreth orës 01:40, në magjistralen Prishtinë-Gjilan konkretisht afër liqenit të Badovcit njësitet relevante policore kanë arrestuar tre persona të dyshuar me dyshimin e bazuar në përfshirjen e veprës penale. Personat e dyshuar kanë qenë në posedim të dy veturave, njëra Golf 2 ngjyrë të kuqe dhe tjetra Pasat po ashtu ngjyrë e kuqe”, ka thënë Kelani.


Ai ka thënë se në vetura janë konfiskuar një sasi e provave materiale.


Kelani ka bërë të ditur se personat e dyshuar janë shoqëruar për në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.


“Personat e dyshuar, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, për procedura të mëtutjeshme policore”, ka thënë Zëdhënësi Kelani për indeksonline.


Policia e Kosovës njofton qytetarët se të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë ndërmarrë në kohë.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit arrestoi tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS në afërsi të liqenit të Badovcit. Por, a po planifikonin këta të dyshuar të kryenin sulm te ky liqen, me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha, që do të reflektonin në jetën e qindra mijëra qytetarëve. 


Në një dokument të siguruar nga lajmi.net, organet e rendit në Kosovë, ngrisin alarmin se policia duhet të fillojë me rritjen e masave të sigurisë, pasi sipas informacioneve të tyre, në vend po planifikohen sulme terroriste. Aty kërkohet që masat e sigurisë të rriten me theks të vecantë në afërsi të liqeneve artificiale dhe fabrikave të ujit, pasi kishin informacione, se ato mund të ishin cak i terroristëve.


Policia e Kosovës bazuar në rrezikun e lartë që mund t’i kanoset nga përgatitjet për sulm terrorist nga pjesëtarë të ISIS-it, ka kërkuar nga zinxhiri komandues shtim të lartë të vigjilencës në Prishtinë.


“Të rritet vigjilenca e policisë në pika të kontrollit në hyrje dalje të qyteteve. Të ngriten masat e sigurisë përgjatë liqeneve artificiale si dhe fabrikave të përpunimit të ujit që furnizojnë ujësjelsin nëpër qytete nga liqenet artificiale. Të kontaktohen personat përgjegjës të institucioneve që menaxhojnë me ujësjellësit në Kosovë në mënyrë që personat përgjegjës për siguri të jenë më të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të personave afër liqeneve dhe fabrikave të përpunimit të ujit”, thuhet ndër të tjera në këtë rekomandim, që struktura komanduese e Policisë së Kosovës, u rekomandon vijave tjera të policisë.


Krejt këto masa të ndërmarra nga policia e Kosovës vijnë pas zbulimit se një shtetas i Maqedonisë i kombësisë shqiptare që aktualisht gjendet në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, në bashkëpunim me persona të tij të besueshëm, po përgatiste sulme në Kosovë e Maqedoni.


Policia në këtë dokument të sigurua nga lajmi.net, thotë se bëhet fjalë për personin B.F. nga Maqedonia, i njohur me nofkën (Ebu Usama) me të cilën identifikohen në konfliktet e Lindjes së Mesme.


Në bisedën e B.F. me persona ende të pa identifikuar, potencohet qëllimi i tij që të organizojnë sulme në Shkup e Prishtinë, përmes së cilave do të shkaktoheshin dëme të mëdha materiale dhe pasoja në njerëz, pa dallim religjioni.


Caqet e sulmeve, sipas Fidanit, do të ishin infrastruktura e ujësjellësit dhe liqenet artificiale.


I pyetur lidhur me këtë dokument, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, ka hezituar të jep detaje, por ka thënë se mobilizimi i pjesëtarëve të PK-së ka ndodhur ditë më parë, duke mos treguar hollësi të mëtutjeshme.


“Ne si Polici e Kosovës e kemi bërë të ditur përmes njoftimeve se kemi rritur nivelin e gatishmërisë për të ofruar një siguri më të lartë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kelani për lajmi.net.


Ai nuk ka komentuar nëse rasti i arrestimit të sotëm i tre personave afër liqenit të Badovcit, afër Prishtinës, ka të bëjë me kërcënimin i cili është identifikuar në këtë dokument të PK-së. /lajmi.net

Është e dhimbshme të lexosh dhe të dëgjosh sot në mediat botërore lajmin më të keq të mundshëm për Kosovën, se si ky vend ende i dërmuar nga e kaluara e tij e dhimbshme, renditet në numrin katër me radhë, me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në radhët e multifronteve të radikalëve të dhunshëm në Siri dhe Irak.

Një vend ky si yni, i cili para dhe pas lufte ende po rënkon për nevojat e tij qenësore të rimëkëmbjes, nuk është dashur të lejojë që mbi supet e tij t’i ngarkohej edhe kjo barrë e rëndë me pasoja të rrezikshme për stabilitetin e shoqërisë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Fajin për pjesëmarrjen e qytetarëve tanë sot në ISIS askush nuk dëshiron ta pranojë, mirëpo ai nuk është inekzistent e as nuk është në qiell. Është këtu në tokë, pra është në mesin tonë.

Nga pafajësia përjashtohet vetëm Islami si fe hyjnore, por jo edhe ne që nuk ditëm dhe nuk po dimë të sillemi në përputhshmëri me mësimet e tij në vendin dhe rrethanat tona të veçanta.

Me dorën dhe veprimin tonë lejuam që dinin-fenë ta shndërrojmë në dinar-interes, para se atë ta vëmë në shërbim të shpirtit, moralit dhe konsolidimit të shoqërisë në përgjithësi.

Në vend që të jemi aktiv, të zëshëm dhe informues të saktë për atë që po ndodhte në Siri dhe Irak, ne heshtëm bukur gjatë dhe i lamë të lirë të tjerët që në vend të vërtetës dhe të realitetit, të përhapnin ideologji me ngjyrime ekstreme fetare në mesin e fëmijëve dhe familjeve tona.

Në anën tjetër, një pjesë e madhe e ndërkombëtarëve pas luftës, në këtë çështje u bënë sikur nuk po shihnin asgjë dhe bënin sehir, ndërsa një pjesë tjetër që edhe më herët ishin kundër pavarësisë dhe të ardhmes të qëndrueshme të vendit tonë, thoshin në vetvete: “Zot bane llugë-rrëmujë”!

Si krerë dhe udhëheqës të institucionit fetar nuk ishim vigjilent dhe të vetëdijshëm për gjithë atë që na ofronin nga jashtë në emër të donacioneve dhe bamirësive, të mbështjella nën petkun e fesë. Shpeshherë në vend të djathit ne hëngrëm sapunin dhe në vend të goglave morëm dushkun.  

Nuk e ngritëm zërin e duhur në kohën e duhur, sidomos atëherë kur qytetarët, diletantët, injorantët apo ish-vagabondë filluan të flasin për fenë dhe në emër të saj, të cilët në fakt e morën edhe rolin e profesorëve dhe mësuesve të arsimuar në fe, por jo vetëm kaq, ata filluan edhe t’i fyejnë, kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht të gjithë që nuk pajtoheshin me ta, të shtyrë nga tutorë dhe ideologë të shitur me ngjyrime të mësimeve devijuese “fetare”.

Lejuam që në xhamitë tona të krijohen laramani të praktikave fetare në mesin safave, disa qindravjeçar të unifikuar të besimtarëve tanë.

E hapëm derën e pykave ndarëse të elementeve brejtëse të unitetit në xhamitë dhe faltoret tona për kohë të gjatë pas luftës, kurse zëri i kundërt u luftua dhe u shpall për interesa të ngushta si antiislam dhe antiinstitucion fetar!!

Prandaj, krejt këto e kanë sjellë gjendjen tonë fetare që kemi sot, dhe të jemi këtu ku jemi karshi vetes dhe faktorit ndërkombëtar.

Bota në këtë pikë po na shikon çuditshëm dhe po përpilon raporte për ne si një vend i katërt me radhë për nga numri i banorëve, ku bijtë dhe bijat e tij po marrin pjesë në ISIS.

Kjo për ne duhet të konsiderohet si një njollë tepër e madhe të cilën nuk është dashur në asnjë mënyrë të lejojmë që të na spërkasë e të na përlyejë.  

Thirrjet tona se ne “jemi kundër ekstremizmit fetar” nuk kanë mjaftuar dhe nuk mjaftojnë as sot e sa në të ardhmen.

Për të parandaluar dhe shpëtuar shoqërinë nga grackat e mendimit ekstrem fetar të dhunshëm që ka marrë përmasa ndërkombëtare, duhet një rikonsolidim dhe rimobilizim i institucionit tonë fetar për të mirën e fesë të cilën e përfaqëson në rend të parë si dhe të stabilitetit afatgjatë të populli tonë.

Pas një rikëndellje dhe rizgjimi të të gjithë prijësve fetarë pa dallim, për të kuptuar kohën, vendin si dhe rrethanat në të cilat veprojnë dhe jetojnë nuk mund të ketë të ardhme të qetë fetare dhe shoqërore. / Zeri.info

Pas videos së publikuar nga organizata terroriste ISIS, përmes të cilës disa xhihadistë shqiptarë dhe boshnjakë kërcënojnë me sulme terroriste Ballkanin, nëpër rrjetet social filloi tallja me ta, por institucionet e sigurisë, duket ta kenë marrë seriozisht situatën. 


Burime të lajmi.net brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se institucionet e sigurisë në vend, duke përfshirë edhe ato të inteligjencës, kanë siguruar informacione në bazë të të cilave konstatohet se xhihadistët shqiptarë me bazë në Siri dhe Irak, në koordinim me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, janë duke përgatitur sulme terroriste.


Karshi kësaj situate, Policia e Kosovës, sipas këtyre burimeve, e ka ngritur shkallën e mobilizimit në pikën më të lartë, duke aktivizuar policinë civile, e cila ka për obligim identifikimin eventual të elementëve të rrezikshëm, duke mos rënë në sy.

 

 


Përveç mobilizimit nëpër gjithë qytetet e vendit, Policia e Kosovës, ka marrë urdhër për kujdes të veçantë përreth dhe në objektet shtetërore, siç janë Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe ministritë.


Ajo sipas të njëjtit burim, është urdhëruar që të kontrolloj secilin automjet që futet në hapësirat e këtyre institucioneve

Ndërsa, objektiv i terroristëve dyshohet të jenë edhe ngjarjet që mbledhin numër të madh të njerëzve.


Një ngjarje e tillë, tashmë tradicionale në Kosovë, është festimi i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një koncert të madh në sheshin qendror të Prishtinës.


Burime të lajmi.net, brenda policisë së Kosovës, kanë thënë se ky koncert i paraparë për datën 4 korrik, datë e cila shënon Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, ka shumë gjasë që të anulohet.


Institucionet e sigurisë po frikohen se ai koncert mund të jetë shumë joshës për xhihadistët, në radhë të parë se mbledh shumë njerëz, dhe tjetra, ndoshta edhe më e rëndësishme, pasi shënon ngjarjen më të madhe shtetërore amerikane.

Mobilizimi Policisë së Kosovës, mund të vërehet edhe nga masat që kanë ndërmarrë pjestarët e rendit gjatë patrullimit nëpër qytet. Për dallim nga ditët e kaluara, tani kadetët e rinj dhe shoqëruesit e tyre, janë pajisur edhe me jelekë anti-plumb.

Vlen të theksohet se mobilizim i njejtë sikurse në Kosovë, është ndërmarrë edhe në Serbi.
Mediat atje sot kanë raportuar se institucionet e sigurisë kanë dhënë alarmin se elementë xhihadistë tanimë ndodhen në territorin e Serbisë, me qëllim sulmet terroriste.


Edhe atje, si pika ku terroristët mund t’i pretendojnë për sulme nga ana e tyre, janë identifikuar objektet e institucioneve, por edhe koncertet, siç Exit i Novi Sadit, koncert me famë në gjithë Evropën dhe më gjerë. (lajmi.net)

Institucionet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë kanë marrë informata se njerëz të afërt me liderin e shqiptarëve të ISIS, Lavdrim Muhaxheri, kanë urdhëruar njerëzit e tyre në Kosovë dhe Maqedoni që të kryejnë sulme terroriste në Prishtinë dhe Shkup.
Lajmi.net e ka siguruar komunikimin në mes të personave përgjegjës për sigurinë në vend, ku urdhërohet Policia e Kosovës që t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve.


Në këtë komunikim i tregohet policisë se një person shqiptar nga Maqedonia (emër i njohur për policinë, e në këtë rast edhe për lajmi.net), i cili aktualisht ndodhet në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, dhe që është shumë i afërt me Lavdrim Muhaxherin, ka kontaktuar me individë të besueshëm të tij për sulme të mundshme gjatë muajit qershor në Kosovë dhe Maqedoni.


Institucionet e sigurisë në Kosovë, momentalisht nuk janë në dijeni të identitetit të personave të kontaktuar nga bashkëpunëtori i Lavdrim Muhaxherit, por besojnë se ata kanë eksperiencë në xhihadin e dhunshëm.
Në këtë komunikim, të cilin e kanë siguruar institucionet e sigurisë në Kosovë, personi i afërt me Lavdrim Muhaxherin ka porositur njerëzit e tij në Kosovë dhe Maqedoni se gjatë sulmeve terroriste në Prishtinë dhe Shkup, duhet të shkaktohen sa më shumë dëme materiale dhe pasoja në njerëz pa dallim religjioni.


Ata edhe pse kanë potencuar Prishtinën dhe Shkupin, si dy qendrat më të mëdha në rajon, kanë thënë se sulmet nuk duhet kufizuar vetëm aty.


Policia i ka të ditura edhe objektivat e parapara për sulm nga xhihadistët, që përbëjnë pika të rëndësishme për funksionimin e jetës së qytetarëve.

Me këtë rast Policia e Kosovës është rekomanduar që të rris vigjilencën, duke përmendur edhe lokacionet se ku duhet të fokusohet më shumë. Ky kërcënim vjen disa ditë pasi xhihadistë nga Ballkani, duke përfshirë edhe shqiptarë, që luftojnë në Siri dhe Irak, lëshuan një kërcënim përmes një videoje për këtë pjesë të rajonit, duke paralajmëruar sulme, që sipas tyre do të përfshinin Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë e Malin e Zi. (lajmi.net)