Lideri i Aleancës për Kosovë të Re Behgjet Pacolli thotë se dita e sotme, me protestën ishte e vështirë për Kosovën, por se po rrezikohet e nesërmja.

Pacolli nëpërmjet Facebook, tha se Kryeministri Isa Mustafa duhet të shkarkoj Ministrin Aleksandër Jabllanoviq.

Shkrimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Kosova sot ndodhet në një ditë të vështirë. Ne të gjithë duhet të punojmë me maturi që e nesërmja të mos jetë po kaq e vështirë sa e sotmja, apo më e vështirë akoma.

Pse Kosova sot gjendet në një ditë të vështirë dhe rrrezikohet dhe e nesërmja? Pse kanë munguar përgjegjshmëria dhe reformat sovrane, kam thënë që nga dita e parë e protestave.

Duhet përgjegjshmëri në nivel personal- ministri Jablanoviq do duhet ta japë vetë dorëheqjen.

Duhet përgjegjshmëri në nivel të kryeministrit: nëse Jablanoviq nuk e jep vetë dorëheqjen, atëherë profesor Mustafa duhet ta largojë. Qeveria krijohet nga koalicionet e partive, dhe kryeministri zgjedh vetë se me cilin ministër do të qeverisë. Në çdo vend të botës është kështu.

Duhet përgjegjshmëri dhe nga ana e udhëheqësve të protestës. Protesta ka në themel kërkesa të ligjshme, por kur abuzohet me dhunë, atëherë kemi tejkalim të së drejtës.

Dhe le të vimë tek çështja e Trepçës.

Pse LDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja, disa ekspertë të ekonomisë që sot kanë ardhur tek idetë e mia e kundërshtonin në maj të 2014-ës, projektligjin që e bënte Trepçën kompani publike?

Pse Serbisë i intereson më mirë që kompleksi Trepça të administrohet nga AKP-ja, armikja më e madhe e ekonomisë së Kosovës, sesa të jetë kompani publike?

Serbia s'ka sovranitet mbi Kosovën dhe as mbi pasuritë e saj, por pse ne po e lejojmë që ajo të ketë sovranitet mbi pasuritë tona?

Pse Vetëvendosja në janar 2015 e ka shndërruar në flamur të protestës kërkesën themelore të ligjit tonë të majit 2014, që Trepça të shndërrohet në kompani publike?

Pse PDK u bind vetëm në maj të 2014-ës për këtë ligj që ne si partnerë të saj e propozonim prej vitesh, ligj që do ta shpëtonte Trepçën?

Pse të gjithë kundërshtonin, apo pse e mbroja unë atë ide që prej 2007-ës?

Pse isha unë autor i platformës që parashikon nga A deri tek ZH shndërrimin e kompleksit Trepça në një kompani publike multimiliardëshe?

A do kishte sot protestë për Trepçën nëse do të kishte miratim të ligjit të AKR-së që në maj të 2014?

A ja vlen të sakrifikohet Trepça vetëm për inat të Behgjet Pacollit? A ja vlen të sakrifikohet pasuria e Kosovës, jeta e qytetarëve për inate personale? A ka dikush turp për këtë?

Trepça kërcënohet dhe sot nga likuidimi me ligjin që u miratua.

- Unë e kam zgjidhjen që i jep sovranitetin Kosovës mbi Trepçën.

- Unë kam zgjidhjen që e bën Trepçën njerën ndër kompanitë më të fuqishme në botë në fushën e mineraleve.

- Unë kam dhe diturinë dhe guximin.Për zgjidhjen e çështjes së Trepçës duhet dituri,guxim dhe veprim në kohën e duhur.

Mjerisht kjo qeveri nuk i ka këto cilësi dhe ka humbur dhe po humbet shumë kohë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se protesta më së paku i ngjau titullit për çka ishte thirrur.

Kryeministri Isa Mustafa thotë se protesta e sotme në kryeqytet më së paku i përshtatej motos së protestës. Tha se me Jabllanovic bashkëpunoi edhe Blloku, pjesë e të cilit ishin LDK, AAK, NISMA dhe VV.

Kryeministri Isa Mustafa tha se protesta më së paku i ngjau titullit për çka ishte thirrur.

"Vetë kërkesat të cilat u shfaqën sot në protestë, fjalimet, sjellja e protestuesve, flet se më së paku protesta i ngjau motës së paralajmëruar. Këtu u kërku që të shkarkohet Qeveria", ripërsëriti Mustafa.

Tha se Qeverisë që ai udhëheqë nuk iu dhanë as 100 ditë për të dëshmuar vetën.

"Dhuna nuk është e arsyeshme, të gjitha këto parti politike kanë pranuar rezultatet e zgjedhjeve, kanë hyrë në Parlament dhe tani për 45 ditë të Qeverisë kërkojnë shkarkimin e Qeverisë. Ne s'na është dhënë as një ditë, qysh ditën e parë jemi përball me kërcënime", tha Mustafa

Sa i përket ministrit Aleksandër Jabllanovic, Mustafa tha se janë serbët ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre, dhe se po të duhej djegur qyteti për deklarata verbale s'do të mbetej shtëpi në këmbë.

Sipas tij Jabllanovic nuk lindi nga koalicioni në mes të PDK'së dhe LDK'së dhe se me të ka bashkëpunuar edhe Blloku, pjesë e të cilit ishte VV, AAK dhe NISMA.

Tha se Jabllanovic më gjatë ishte në koalicion me Bllokun se me Qeverinë aktuale, e cila sipas tij ka vetëm 45 ditë punë.

"Jabllanovici nuk ka lindur prej që ne kemi bërë këtë koalicion me PDK'në dhe që kemi formuar këtë qeveri. Me Jabllanovicin ne kemi bashkëpunuar për nja pesë muaj si Bllok ku kanë qenë edhe Aleanca edhe Nisma e pas disa muajsh edhe Vetëvendosje. Nëse Jabllanovici ka qenë pjesë e një koalicioni atëherë ai më gjatë ka qenë pjesë e atij koalicioni se sa e këtij koalicioni. Ai koalicion ka punuar pesë muaj, gjërë e gjatë. Edhe atëherë është konsideruar se qeveria nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e Listës Serbe. Bile disa njerëz që sot po dalin e po flasin kundër tij e kanë pasur shok për krye kreje dhe i kanë bërë nderime më të mëdha se sa që ai ka merituar", tha ai.

Në emisionin “Debat” në RTK kryeministri Mustafa tha se arsyeja për protestë ishte shkarkimi i Jabllanoviqit dhe ligji për Trepçën.

“Në protestë u kërkua që të shkarkohet komplet Qeveria. Kjo nuk është e arsyeshme sepse të gjitha partitë politike kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve prandaj asnjë arsye nuk ka për shkarkimin e Qeverisë”, tha Mustafa.

Sipas tij, një deklaratë e një individi që të shkatërrohet pronat dhe sheshi.

“E as sheshi e as policia nuk janë pronë e Jabllanoviqit”, tha ai.

Mustafës tha se disa njerëz nga partitë opozitare që sot po flasin kundër Jabllanoviqit e kanë pasur shok dhe i kanë bërë nderime më shumë se sa që e ka merituar.