Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë se dy marrëveshjet e fundit të Qeverisë, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, janë të dëmshme dhe duhet të parandalohen.

Në intervistën dhënë “Zërit”, Haradinaj tha se opozita e bashkuar njëherë po vazhdon kundërshtimin nëpërmjet peticionit, ndërsa më pas do të shkohet me protesta të fuqishme. Ai edhe një herë e konsideron kriminal komisionin qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, kurse kërkon nga institucionet e drejtësisë të merren me pasurinë milionëshe të Murat Mehës.

“Kish qenë mençuri prej kryetarit të Qeverisë që të pezullojë këtë kryetar të komisionit, ose t’i ngrijë aktivitetet e tij derisa gjyqësori, prokuroria nuk e jep versionin e vet se a është ky njeri i inkriminuar në vepra kriminale”, tha Haradinaj për Mehën, duke kërkuar gjithashtu të shfuqizohen vendimet e tij.

Ish-kryeministri i Kosovës i dha mbështetje edhe Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi, duke dëshmuar se ky asociacion nuk është i njëjtë me Asociacionin e Komunave Serbe. Sipas tij, Asociacioni në Luginë nuk interferon në Kushtetutën e shtetit serb, kurse Asociacioni i komunave serbe ka kompetenca ekzekutive sa një republikë.

“Asociacioni i komunave në Luginë nuk është i karakterit të njëjtë me Asociacionin në Kosovë. Është krejt i zakonshëm dhe nuk ish dashur me qenë problem as për Serbinë, por për askënd, për shkak se ai nuk po bie në konflikt në asnjë variant me Kushtetutën e Serbisë”, tha Haradinaj. /Zëri/

Opozita tashmë ka ndarë mendjen për organizimin e protestave masive deri në ndalimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, siç po e quajnë ata 'Zajednicës'.

Por, ajo që nuk po i bashkon është forma se si do të organizohen protestat, nëse do të jenë të dhunshme apo jo. Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se do të përdoren të gjitha format për të ndaluar themelimin e ‘Zajednicës’, duke mos mohuar as dhunën, dy partitë tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur kategorikisht kundër protestave të dhunshme.

Frashër Krasniqi nga “Vetëvendosje” thotë për KosovaPress se ata janë duke organizuar tribuna, aksione simbolike të cilat janë në funksion të mobilizimit të qytetarëve në kundërshtim të ‘Zajednicës’. Ai tha se janë edhe duke u koordinuar me partitë opozitare dhe pjesëtarët e shoqërisë civile dhe gjithë ata që duan ta ndalojnë ‘Zajednicën’, që të bashkohen dhe të gjitha aktivitetet të kulmojnë me protesta masive.

Mirëpo, edhe pse opozita është p ajtuar që të organizojnë protesta në kundërshtim të Asociacionit të komunave serbe, ato nuk po pajtohen që të ketë dhunë. VV-ja nuk përjashton asnjë formë, madje as dhunën vetëm që të parandalohet themelimi i Asociacionit, derisa AAK e Nisma janë shprehur hapur se nuk duan protesta të dhunshme.

“Dy gjëra janë të sigurta, ne do të vazhdojmë me aktivitete, me aksione me protesta, demonstrata të pandalshme derisa të ndalet ‘Zajednica’, dhe e dyta është që ne do ta ndalim patjetër ‘Zajednicën’. Pra do të bëjmë çmos që ‘Zajednica’ të ndalet. Kjo nënkupton që po organizojmë aksione të ndryshme, do të organizojmë peticione, dhe do të kulmojmë me protesta e demonstrata. Saktësisht se kur do të ndodh kjo, jemi në diskutim e sipër, por ajo që dihet sigurt është se ne jemi të pakompromis në betejën për ta parandaluar ndarjen dhe defunksionalizimin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se nuk është kryesore nëse ata do të përdorin dhunë, por vendosja e ‘Zajednicës’ në territorin e Kosovës përmes së cilës do të ndahen resurset e Kosovës, ekonomia dhe territori i Kosovës, është dhuna më e madhe që po i ndodh Kosovës.

Kundër dhunës në protesta ka dalë sot edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se nuk do t’i mbajnë sytë mbyllur nëse protestat keqpërdoren dhe marrin drejtim të gabuar dhe shndërrohen të dhunshme. Sipas tij AAK është që protesta të shërbejë për t’u dëgjuar zëri i qytetarëve kundër degradimit të vendit.

“Ne kur po flasim kundër dhunës po tregojmë se nuk do t’i mbajmë sytë mbyllur, që të keqpërdoret protesta, të marrë drejtim të gabuar, por protesta me qenë vërtet zëri qytetar që e pengon degradimin e gjendjes në vend...Sot ka ndodh protesta, vendimi i Aleancës është protestë, është vendim politik, kanë ndodhur diskutime shumë..ka filluar protesta”, tha Haradinaj.

Për protesta, por jo të dhunshme janë edhe partia më e vogël opozitare ajo e Fatmir Limajt, e cila do t’i bashkohet organizimit të protestave në kundërshtim të Asociacionit.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha për KosovaPress se të gjithë duhet të bëhen bashkë për të ndaluar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sepse përmes tij do të bëhet ndarja territoriale e Kosovës, do të pranohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën

“Opozita, natyrisht parlamentare dhe jo parlamentare, partitë tjera që nuk janë në parlament do t’i prijnë këtij procesi, por presim që qytetarët të jenë më aktiv në përgjithësi dhe të dëshmojmë se ndarjet pozitë opozitë janë në shoqëri demokratike normale, por këtu nuk kemi të bëjmë me kundërshtimin e një qeverie, por kemi të bëjmë me dëmtimin e të ardhmes së këtij vendi...Mendoj që askush nuk ka të drejt që për të kundërshtuar një dëm që i bëhet Kosovës të bëjë një dëm me të madh. Prandaj mënyra dhe rruga që do të ndiqet për të kundërshtuar këtë sigurisht do të jenë demokratike”, tha Sherifi.

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimit të protestave, asnjëra nga partitë opozitare nuk ka mundur të thotë se kur do të fillojnë protestat në kundërshtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /RTKLive.com

Protesta e paralajmëruar nga partitë opozitare, e cila ka moto “Kundër kapjes së shtetit”, do të mbahet të shtunën, duke filluar nga ora 14:00.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi e ka publikuar marshutën e kësaj proteste.

Marshi i protestuesve do të fillojë nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila gjendet në Pejton, mandej pranë objektit të KEDS-it, për të vazhduar drejt objektit të RTK-së, dhe për të përfunduar te sheshi “Skënderbe” /Reporteri.net

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se protestat për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq dhe për Ligjin e Trepçës, do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Ai pas mbledhjes me kryesinë e partisë së tij, ka thënë se protesta e radhës do të organizohet të mërkurën e ardhshme në orën 12.

Protesta, sipas tij, do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe do të marshojë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë.

Sot në mëngjes, pas një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u vendos që data e protestës së ardhshme të jetë të mërkurën, më 4 shkurt, në ora 12:00, i njoftoi Albin Kurti mediet e mbledhura në konferencën e sotme për shtyp. Ai shpjegoi se protestuesit, po ashtu si të martën, do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

“Pra, vazhdon protesta përderisa vazhdon të qëndrojë në Qeveri Jabllanoviqi”, tha Kurti, duke sqaruar se kërkesat e protestës mbesin të njëjta – shkarkimi i Ministrit Jabllanoviq dhe mbrojtja e Trepçës përmes një ligji të veçantë, i cili e definon Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë qytetarët për ndihmën dhënë protestuesve të martën, ku solidaritet i veçantë është shprehur me të lënduarit, duke i ndihmuar ata pa rezervë me ujë qumësht e qepë.

Ndërkaq, deputetja Aida Dërguti tha se Figurat kryesore të partive politike që tani janë në Qeveri, rrugëtimin e vet në politikë e nisën qoftë me protesta si LDK, qoftë me luftë çlirimtare si PDK, të cilët e braktisën dhe sakrifikuan për pushtet. Nënshtrimi ndaj kushteve të Listës Serbe dhe fyerjeve të Jabllanoviqit për qytetarët e Kosovës, tregon gatishmërinë e këtyre qeveritarëve që të nënshtrohen. Ajo tha se qytetarët janë themeli i Republikës dhe Republika pa qytetarët nuk mund të ekzistojë. Prandaj, çdo qytetar veç e veç dhe të gjithë së bashku, kanë obligim që të mbrojnë dinjitetin e dëshmorëve e viktimave, që u fye nga Jabllanoviqi. Ndërsa, të sotmen si mundësi dhe të ardhmen si zhvillim e mirëqenie, qytetarët mund ta sigurojnë vetëm përmes mbrojtjes së Trepçës.

Në fund, kryetari, Albin Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi dhunën policore tha: “Nuk ka dhunë që na ndal neve. Nuk ka brutalitet policor që na bën neve të mos dalim në protestë apo të mos marshojmë përpara. Sepse nuk mund të bëjmë kompromis me Republikën, me jetën e dinjitetshme, me lirinë, me atë që na bënë subjekt e subjektivitet njerëzor”.

29 janar 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!