(E plotësuar) Një person është vrarë ndërsa dy të tjerë janë plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Kumanovë në orët e pasdites së sotme.

I vrari është Xhamail Rexhepi, ish-pjesëtar i UÇK-së, i njohur si komandant Shqiponja, kurse janë plagosur Gani Demiri dhe Shefki Rexhepi, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e qytetit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e punëve të brendshme e Maqedonisë, e cila po zhvillon hetime për shkaqet e këtij incidenti të rëndë.
Incidentit i ka paraprirë zënka mes anëtarëve të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (DBI), lidhur me zgjedhjen e kryetarit të degës partiake në Kumanovë.
Autor i vrasjes dyshohet të jetë, Bajram Limani, i cili ka deklaruar për mediat se aktin e ka kryer ne vetëmbrojtje pasi është sulmuar nga pjesëtarët e grupit tjetër.
Zënkat mes anëtarëve të BDI-së në Kumanovë janë të pranishme tash e një kohë të gjatë.(Rel) / RTKlive

Partitë opozitare të Kosovës, Lëvzja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të organizuar për nderë të çlirimit të vendit.

Njoftimi për bojkotin e kësaj seance është bërë nga zyra për informim e Vetëvendosjes, ku edhe kanë paralajmëruar një konferencë për media, ku do t’i bëjnë të ditura arsyet e bojkotit.

Konferenca do të mbahet në ora 10 :30 në objektet e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe në kuadër të shënimit të Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës  do të mbajë seancë festive më ç’rast Filarmonia e Kosovës do të ekzekutojë vepra muzikore të kompozitorëve të njohur kombëtarë dhe botërorë. (lajmi.net).

Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, madje kalon dhe disa vende të Europës si Bulgaria dhe Islanda.

 Zyra për Statistika e Komisionit Evropian, Eurostat, ka publikuar statistikat e fundit për çmimin e energjisë elektrike. Në tabelën e Eurostat shihet se Shqipëria nuk është aspak e favorshme për çmimin e energjisë.

Kosova garanton çmimin më të ulët në Europë për qytetarët dhe bizneset të saj. Sipas Eurostat, në Kosovë paguhet mesatarisht 5.5 cent për kilovat/orë, ndërsa në Shqipëri paguhet mesatarisht 11.6 cent për kilovat/orë, raporton për lapsi.al gazetari Vincent Triest. Pavarësisht se Kosova është një vend që importon energji nga Shqipëria, ajo u mundëson qytetarëve të saj ta paguajnë dy herë më pak energjinë.

Kosova ndiqet nga Serbia me 6.1 cent për kilovat/orë, ndërsa pas Serbisë lista vazhdon me Maqedoninë me 6.76 për kilovat/orë, Bosnje Hercegovina me 7.9 kilovat/orë, Mali i Zi me 8.83 për kilovat/orë.

Përveç efekteve negative që barra e lartë financiarë sjell për konsumatorët shqiptarë, ky çmim ka efekte negative për kompanite private që operojnë në Shqipëri. Kostoja e lartë e energjisë elektrike e bën Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët e huaj. / RTKLive

Të dëbuar nga qyteti i Shkodrës,pas urdhrit të Esat Pashë Toptanit, së bashku më atdhetarë të tjerë të shquar,si Aqif Pashë Elbasani dhe shumë nga pjesëtarët e Komitetit të Kosovës, atij i zune prite.

Isë Boletini, djemtë e nipat e tij, u vranë më 23 janar 1916, në Podgoricë. Të dëbuar nga qyteti i Shkodrës, pas urdhrit të Esat Pashë Toptanit, së bashku më atdhetarë të tjerë të shquar, si Aqif Pashë Elbasani dhe shumë nga pjesëtarët e Komitetit të Kosovës, atij do i zinin pritë forcat ushtarake malazeze, teksa po kalonte urën e qytetit. Thirrjes për të dorëzuar armët, pa ngurrim, ata iu përgjigjën flakë për flakë dhe, si e kishin thënë shpesh herë, zgjodhën rënien e tyre heroike, në vend të qelive të errëta të burgjeve malazeze
Më 25 janar 1916 u bë varrimi i parë i Isa Boletinit, djemve e nipave të tij. Të gjithë dyqanet e shqiptarëve që jetonin asaj kohe në Podgoricë dhe që përbënin ajkën e qytetit, në nderimin e Isa Boletinit, u mbyllën. “Në varrimin e të vrarëve, më 25 janar, muarën pjesë të gjithë shqiptarët që qenë në Podgoricë, të cilët hoqën edhe shpenzimet e varrimit. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti fjalën e rastit”, shkruan në librin e tij ,”Isa Boletini”, një figurë e shquar e letrave dhe e atdhedashurisë shqiptare, Skënder Luarasi, djali i Petro Nini Luarasit.

Nasuf Dizdari ka qenë i njohur gjërësisht si një figurë e përdalluar atdhetare, publicist, sidomos folklorist, por me lidhje të gjera me qarqet kombëtare të kohës, si ishin përgjithësisht Dizdarët në të gjitha kohërat.

Varrimi i parë i Isa Boletinit u bë në një ditë të ftohtë, jashtëzakonisht të akullt, e megjithatë sheshi ishte tej e përtej me figura të shquara dhe njerëz të zakonshëm. Pas këtij varrimi, eshtrat e Isa Boletinit do të shpërnguleshin edhe më pas, për të ardhur tek dita e sotme, 10 qershor 2015, pas 90 viteve, kur më në fund do të kenë edhe tabanin e tyre të përjetshëm.

Çfarë u tha në varrimin e parë të Isa Boletinit? Enver Dizdari, i biri i atdhetarit Nasuf Dizdari, do e ruante për shumë dekada këtë fjalë historike, fragmente të së cilës po sjellim më poshtë:

“O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut, o fidqar i kombit dhe mik i jem i ngushtë, Isë Boletini. Nuk po më trembin as topat, as pushkët, as bajonetat e gjeneralit katil Vukoviqit, as çetat serbomalazeze, as gjendja shumë e turbullueme që po kalojmë na të syrgjynosun dhe populli shqiptar podgoriçan në këto çaste, për me folun këto pak fjalë, nö emër të syrgjynosunve që ndodhen këtu, n’emnin e shqiptarëve podgoriçanë që kanë mbyllun rrugët e qytetit dhe n’emin e dashamirve të tjerë. Ti me djemt tuj, me dy nipat dhe tre besnikët tuej kosovarë, me 23 të muejit kallnuer 1916, mbas një përleshje të përgjakshme kundër ushtrisë malazeze dhe çateave serbo-malazeze, vetë i teti batë deken me nder të madh këtu tek Ura e Podgoricës. Shumëfish e paguet vedin tuej! Zemra juej shqiptare qe shumë ma e fortë se pushka tradhtare dhe katile e dushmanit. Shqiptari ka luftuem gjithmonë për të drejtën e vet, për nderin e atdheut dhe të kombit, për gjuhën e zakonet e veta. Kurr’ nuk e ka dorzuem e as nuk e ka lakmuem pushkën. Besa, burrnija, trimnija, madhështia, kuvendi yt i matun dhe kyveti i fjalës tande nifen nga të gjithë shqiptarët dhe nga diplomacia evropjane. Për 15 vjet me rradhë braktise familjen, vllazninë, mall e gja, dhe u bane mburoja besnike e vatanit. Nuk u tunde as nga sulltani, as nga krajlat, as nga topat, as nga pushkët. Vrasja jote dhe e trimave tuej asht një hupje shumë e madhe për Shqipninë dhe shqiptarët. U vra në përleshje me dushmanët serbo-malazez biri i Skenderbeut dhe vazhduesi i rrugës së tij. Në këtë çast kaq nazyq, të gjithë shqiptarët përjashta dhe brenda atdheut betohen përpara xhenazeve tueja, se nuk do të prajnë kurr’ luftën kundër të gjithë anmiqve të atdheut e të kombit tonë. Do të luftojmë si Skanderbeg famëmadhi, si Karamahmud pasha, si Ali pashë Tepelena, si Dasho Shkreli, si Hamz Kazazi, si Oso Kukë baroti me dragojtë e luanët e tyre.

Me 28 të muejit Nanduer 1912, tue udhtuemun me javë nëpër male, pyje e fusha, n’at të ftohtë të madh, shkove me djemt, nipet e sokolat tuj kosovarë, nga Kosova në Vlonë, për shpalljen e mosvarësisë kombtare dhe të ngritunit e flamurit kombtar. Në Vlonën kreshnike ti u bane krahu i djathtë ma i afërm i ma i kyvetshëm i Ismail Qemalit, shtylla e mosvarësisë. Me sokolat tuej i dole në pritë urdive të gjeneralit Xhavit Pasha, luftuet randë kundër tyne, sa nuk i latë me hymun në Vlonë.

Me 1913 shkove me Ismail Qemalin delegacion në Romë në Vjenë, dhe në Londër, në konferencën e ambasadorëve, për caktimin e kufijve të Shqinisë. Në bisedë e sypri, ministri anglez pyeti: cili nga ju asht caktuem me folë për kufijtë e Shqipnisë? Kyretari i jonë, ismail Qemali gjegjet: për çështjen kaq të randsishme për fatet e atdheut tonë do të flasë Isa beg Boletini. Si asht e mundun të flasë për një çështje kaq të randsishme për kufijt e Shqipnisë një malsor i veshun me çakçir, me jelek e xhamadan, me qeleshe të bardhë dhe me caruqe? Me nji diplomaci shumë të hollë, kryetari jonë i nderuem i thotë”…Isa beg Boletini që do të flasi këtu në emnin e kombit shqiptar asht biri i Shqipnisë, malsuer i Kosovës nanë, i Kosovës sokoleshë e trimneshë. I Kosovës së djegun e të përvlueme për bashkimin e kombit e të vatanit. Isa beg Boletini aht kryekapidani, kryekalorësi, kryeprijsi i ma tepër se 40 mijë vullnetarëve trima e fidiqar që për 15 vjet rrjesht luftoi pa pra me sokolat e ndihmsat e tij kundra zaoptuesve turq. Me urtinë, zotësinë e burninë e tij të pashoq i bashkoi në një komandë të githa forcat e çetave që luftojnë sot në tanë Shqipninë për këtë qëllim të shejtë.

Ministri anglezu, sër Eduard Grei të vunë përpara hartën. Shikoni të katër kërkesën tuej për kufijt e Shqipnisë. Ti, Isë Boletini ju gjegje: “Zotni Ministër! Merrni mundimin e formoni një komision internacional njerëzish të ndershëm, të zot, të paanshëm, me harxhet tona, më jepni me vedi e me shokët e mij me ju diftuem atyne në vend e me dishmira të gjalla kufijt tonë me Serbinë, Malin e Zi,Greqinë. Çfarë të shohin në vend ky komision njerëzish të ditshëm e të paanshëm, le ta shenojnë në hartë. Kësaj i thonë me ba punë pa hile. Unë dhe ndihmsat e shokët e mij i njohim shumë mirë kufijt e vatanit tonë, sepse i kena përshkue pllamë për pllamë në luftë.

Nuk asht e mundun që nji mbretni e vjetër, si e jueja e me një parlament kaq të moçëm, që mbretni që ka thye e ka zanë rob Napolonin e madh, mbretin ma të kyvetçëm të Europës, ju që keni një hyqm kaq të madh përmbi pjesën ma të madhe të botës, ju qi jeni mbretnesha e detit, të mos e njifni storen e Shqipnisë dhe kufijt e vendeve të saj që ndodhet në zemren e Ballkanit e të Evropës. Ju e dini shumë mirë, ministër se në parlamentin e parë turk deputetët e parë të katër vilajeteve, Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë që po të flasim na sot këtu, kanë kërkue me u mbledhë në “Autonominë e Shqipnisë” dhe shkëputjen e Shqipnisë nga Turqia”.

Ishin disa fragmente nga fjala e atdhetarit Nasuf Dizdari. Të mbajtura thuajse një shekull më parë. Por fjala nuk ka mort, kur ajo është në nderimin e figurave të mëdha të kombit. Njëri prej tyre, Isa Boletini, po rivarroset edhe një herë, tashmë në vendlindjen e tij, si një dëshmi e një kohë të re. /gazetadita/

“Ju lutem më ndihmoni. Bashkëshorti im më thotë se do të më vrasë dhe do të më marrë fëmijët”.

Këto janë fjalët që ka thënë 33-vjeçarja para se të vdiste nga plagët e marra nga sulmi me thikë nga bashkëshorti i saj.

Shqiptarja kishte frikë të bënte denoncim në polici, për shkak se ajo dhe fëmijët nuk kishin leje qëndrimi në Greqi.

Banorët e fshatit në Gemini Argolidas e përshkruajnë atë si një njeri të drejtë dhe punëtore.

“E kuptoni se sa njeri i mirë ishte, asaj të gjithë në fshat i besonin çelësin e shtëpisë. Ajo nuk e meritonte atë”, shprehet një prej banorëve.

Shqiptarja, e cila punonte si ndihmëse u vra me thikë nga bashkëshorti i saj në sy të fëmijëve rreth orës pesë të mëngjesit.

“Ajo kishte frikë. I thash të shkonte në polici, por më tha se i druhej asaj që mund të bënte ai. Po ta dija se ishte i rrezikshëm do ta kisha denoncuar”, thotë një i moshuar.

Vajza 10 vjeçe dhe djali 8, kërkuan ndihmë tek fqinjët ndërsa nëna e tyre ishte e mbytur në gjak. /shekulli/

Seite 1 von 3