Enver Hasani bëhet ambasador?!

Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, pritet që në muajt në vijim të bëjë disa emërime të reja nëpër ambasadat e Kosovës në mbarë botën.
Siç shkruan Zëri, duke u thirrur në burimet e saj, kryediplomati Thaçi do të emëroj kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ambasador në Turqi.

Hasanit në Kushtetuese i mbaron mandati më 26 qershor të këtij viti. Turqia për Hasanin nuk është vend i panjohur, pasi që ai atje ka kryer studimet e masterit dhe doktoraturës.

Përpos Hasanit, në shërbimin diplomatik të Kosovës pritet të inkuadrohet edhe një përfaqësues i shoqërisë civile. Burimet  e gazetës thonë se themeluesi i D4D, Leon Malazogu, pritet që të emërohet në postin e ambasadorit në Japoni, ku deri pak muaj më parë ka qenë ambasador ish-ministri i Financave, Ahmet Shala.

“Po ka pasur disa bisedime, mirëpo besoj që kjo është çështje e MInistisë dhe mbase duhet të flisni me ta për gjëra konkrete”, ka thënë Leon Malazogu shkurt.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se mërimet e ambasadorëve do të bëhen në muajt e verës.

“Emrat që ju i folët nuk qëndrojnë. Për momentin këto janë vetëm spekulime. Ministria emërimet e ambasadorëve do t’i bëjë në verë për vendet në të cilat kërkohet”, ka thënë Selimi.

Artikel bewerten
(0 Stimmen)