Haradinaj thyen akullin, kthehet në Kuvend pas bojkotit

 

Deputetët e opozitës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, po hyjnë në muajin e gjashtë të mos pjesëmarrjes së tyre në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për dallim nga deputetët e partisë opozitare ‘Nisma për Kosovën’, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj është rikthyer në krye të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, kjo pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte vendosur të bojkotonte punët e Parlamentit të Kosovës nga muaji mars i këtij viti.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas gjashtë muaj mospjesëmarrjeje në punën e Kuvendit, deputeti humb mandatin nëse nuk arrin që ta argumentojë mungesën e tij.

Neni 25, paragrafi E thotë: Nëse në periudhën gjashtëmujore deputeti nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit, nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës

Edhe në Ligjin e Republikës së Kosovës Nr.03/L-111, ‘Për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit” në nenin 8 sqarohet përfundimi i mandatit në pikën 1.5 ku thotë: Mandati i Deputetit/es përfundon para kohe nëse deputeti/ja për 6 muaj nuk merr pjesë në sesionet plenare të Kuvendit ose në mbledhjet e komisioneve, ku është anëtar/e. Në raste të veçanta, Kuvendi mund të vendosë ndryshe.

Tash mbetet të shihet se si do të veprojnë deputetët tjerë të AAK-së dhe Nisma për Kosovën. /Botasot.info

Artikel bewerten
(1 Stimme)