Mediat serbe mbrojnë Surroin për deklaratat e tij rreth ‘Grupit të Drenicës’

Portali i televizionit të njohur beogradas “B92” i ka dalë në mbrojtje publicistit Veton Surroi për fushatën e zhvilluar kundër tij në rrjetet sociale.

Sipas këtij portali, Veton Surroi, është duke u sulmuar në rrjetet sociale për shkak se në mediet e Serbisë kishte pohuar se “Grupi i Drenicës” ka bërë krime të luftës ndaj serbëve të Kosovës.

B92 raporton sesi në rrjetet sociale është hapur një faqe në të cilën njerëzit e kanë quajtur Surroin tradhtar dhe anti-kombëtar.

Publicisti Veton Surroi ditë më parë e kishte promovuar në Beograd librin e tij “Miliarderi”, derisa për shumicën e atyre që kanë shkruar në rrjete sociale, ishte e papranueshme sesi Surroi ka gjetur Beogradin dhe mediet serbe për të kritikuar lidershipin e Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, duke u bërë në këtë mënyrë mbase edhe padashje pjesë e agjendës së Serbisë kundër Kosovës.

Në një intervistë për televizionin serb “B92”, gazetari dhe publicisti kosovar Veton Surroi kishte thënë se Kosova mbizotërohet nga një trekëndësh i banalitetit. Për emisionin

“Kaziprst”, ai kishte thënë se krijimi i Gjykatës Speciale përbën një proces tejet të ndërlikuar.

Në anën tjetër, sipas Surroit, është e qartë se brenda Kuvendit të Kosovës ekziston një pjesë e strukturave të cilat i druajnë Gjykatës Speciale.

“Këta janë njerëzit që janë pjesë e raportit të Dick Marty. Ky raport është baza e kësaj gjykate, si rezultat i hetimit trevjeçar të raportuesit special Clint Ëilliamsonit”, kishte deklaruar Surroi, duke shtuar se Dick Marty dhe Clint Ëilliamson, për këtë përgjegjës i bëjnë pjesëtarët e grupit të njohur si “Grupi i Drenicës”.

Publicisti Veton Surroi për mediet beogradase kishte folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Prishtina dhe Beogradi do të duhej të vinin deri te një akt, i cili nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia, por që do të nënkuptonte vendosjen e marrëdhënieve në një nivel dukshëm më të lartë, i cili do të bënte që komunikimi të mos përqendrohej në çështje të politikave ditore”, ishte shprehur Surroi. (lajmi.net)

Artikel bewerten
(1 Stimme)