Mustafa: Kemi përmbushur kriteret, presim vendimin e BE-së

21 Apr 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi përkrahjen e Gjermanisë dhe të Francës për liberalizimin e vizave.

Kryeministri Mustafa, priti në takim ministrin gjerman të Shtetit për Evropë, Michael Roth dhe sekretarin francez të Shtetit për Çështje të Evropës, Harlem Desir.

Në takim, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin konkret në zhvillimin ekonomik, për proceset integruese evropiane dhe reformat tjera në fuqizimin e shtetit, njofton Zyra për informim e Kryeministrisë.

Kryeministri Mustafa theksoi punën e madhe që po bëhet në implementimin e MSA-së, me përkrahje të gjerë, si dhe për rëndësinë që ka për Kosovën liberalizimi i vizave.

“Ne i kemi përmbushur kriteret dhe tani presim vendimin politik të BE-së. Kosovarët kanë mbetur qytetarët e vetëm të rajonit që nuk mund të lëvizin të lirë, që është e padrejtë. Andaj, ne besojmë që BE-ja së shpejti do të marr vendim pozitiv për liberalizimin e vizave, duke qenë se lëvizja e lirë është e rëndësishme edhe për MSA-në, pasi që do t’ia lehtësonte bizneseve kosovare të marrin pjesë në panaire, të gjejnë tregje adekuate dhe t’i shfrytëzojnë pa vështirësi mundësitë ekonomike e tregtare që iu krijon MSA-ja”, tha kryeministri.

Duke falënderuar për kontributin e madh të Gjermanisë dhe të Francës për Kosovën në të gjitha fazat e deritashme, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejshme të tyre në rrugën integruese evropiane, zhvillimin ekonomik dhe proceset e tjera.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të gjithanshëm me Gjermaninë dhe me Francën.

Ministri gjerman i Shtetit për Evropë, Michael Roth, vlerësoi progresin në Kosovë duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Gjermanisë.

Ministri Roth tha se kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit të Gjermanisë dhe të Francës për Kosovën dhe për tërë rajonin.

Sekretari francez i Shtetit për Çështje Evropiane, Harlem Desir, po ashtu, çmoi të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar një varg çështjesh të rëndësishme.

Sekretari Desir foli edhe për përgatitjet e Samitit të Parisit, i cili do të mbahet në vazhdën e Procesit të Berlinit, si proces tejet i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe zhvillimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera që lidhen me Kosovën, për zhvillimet politike, dialogun me shtetet fqinje, etj. / RTKLive.com

Artikel bewerten
(1 Stimme)