Në fazën finale fituesi i ndërtimit të "Kosova e Re"

Qeveria e Kosovës është në fazën finale që ta shpallë fituesin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Si ofertues më serioz po shihet një kompani amerikane. Zv/presidenti i kompanisë amerikane "Countour Global", Garry Levesly tregoi për RTK-në si do të duket ky projekt. 

Negociatat ndërmjet kompanisë amerikane Contour Global dhe qeverisë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” janë në fazën finale dhe pritet që qeveria të marrë vendim për të zgjedhur këtë kompani si ofertues i preferuar për ndërtimin e termocentralit. Këtë e ka pohuar edhe zv/presidenti i kompanisë amerikane Countour Global.

"Ne jemi mjaft afër të qenit të zgjedhur si ofertues i preferuar për ndërtimin e termocentralit. Megjithatë ende nuk është zyrtare. Gati të gjitha çështjet tashmë janë zgjidhur, dhe qeveria thjeshtë duhet të marrë vendim për shpalljen tonë si ofertues të preferuar dhe besoj që kjo të ndodhë brenda pak javësh".

Përfaqësuesi i kompanisë amerikane ka shpjeguar edhe kompetencat e tyre për këtë projekt.

"Ne do ta bëjmë zhvillimin e projektit, do të bëjmë edhe përzgjedhjen e projekteve ndërtimore, pra nuk jemi vetë ndërtues. Procesi i ndërtimit do të jetë me tender ndërkombëtar. Ka gjasë do të gjejmë kompani mjaft të mëdha si gjermane, franceze dhe amerikane që do të bëjë ndërtimin. Ndërsa ne do ta menaxhojmë kontratën dhe Countor Global do të operojë me centralin. Pra ne do ta udhëheqim edhe grumbullimin e parave, financave, dhe do të jemi menaxhuesi kryesor i projektit. Aktualisht jemi 100% aksionar, mund të ketë edhe aksionar të vegjël në të ardhmen, si psh kontrata e ndërtimit që mund t'i ketë 5 deri në 10% aksione".

E sa i përket interesimit të kompanisë gjermane Filinger për rindërtimin e termocentralit Kosova A, Llevesly tha se nuk ka asnjë konflikt në mes dy projekteve.

"Nuk shohim asnjë lloj konflikti mbi atë se çfarë do të ndodhë apo çfarë duhet të ndodhë me projektin e Kosovës A. Sa i përket përvojës sime personale, përpjekja për të rehabilituar termocentralin 50 vjeçar s’ka kurrfarë kuptimi, s’ka kurrfarë logjike, nuk besoj që do të ndodhë, po ky është qëndrimi im personal, megjithatë nuk shohim konflikt. Kosova e Re do të ecë tutje, pavarësisht çfarë ndodh me Kosovën A".

Megjithëkëtë, përfaqësues të kompanisë gjermane Bilfinger, kanë theksuar se janë të interesuar për rindërtim të Kosovës A. E sa i përket Kosovës së Re, sipas planifikimeve, ai pritet të hyjë në funksion në vitin 2020. / RTKLive

Artikel bewerten
(0 Stimmen)