Hapet ura “Bejli” afër manastirit të Deçanit

Dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së ndërtimit, sot u zhvillua ceremonia e hapjes së urës “Bejli” afër manastirit të Deçanit.

Projekti është mbështetur fuqimisht nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo, i cili me këtë rast tha se ndërtimi i urës është një simbol i rolit të KFOR-it në përmirësimin e marrëdhënieve në mes të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe atyre të Komunës së Deçanit.

Ura e re, sipas KFOR-it, do të shfrytëzohet edhe nga komuniteti lokal, dhe hapja e saj do të mundësojë një qasje më të shpejtë dhe më të sigurt në disa zona të komunës, duke mundësuar në të njëjtën kohë zhvillimin e mundshëm të zonës në dobi të gjithë popullit të Kosovës.

"Normalizimi i marrëdhënieve dhe zhvillimi socio-ekonomik janë faktorë themelorë dhe esencialë të stabilitetit dhe mund të kontribuojnë për të parandaluar rritjen e çfarëdo lloji të ekstremizmit", ka thënë me këtë rast Gjenerali Figliuolo.

Në ceremoninë e sotme kanë marrë pjesë të ftuar nga institucionet në Kosovë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe dhe të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. /RTKLive

Artikel bewerten
(0 Stimmen)