Sulmet e ISIS në Kosovë kërcënim real: Mobilizohet Policia, anulohet koncerti kushtuar SHBA-ve

Pas videos së publikuar nga organizata terroriste ISIS, përmes të cilës disa xhihadistë shqiptarë dhe boshnjakë kërcënojnë me sulme terroriste Ballkanin, nëpër rrjetet social filloi tallja me ta, por institucionet e sigurisë, duket ta kenë marrë seriozisht situatën. 


Burime të lajmi.net brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se institucionet e sigurisë në vend, duke përfshirë edhe ato të inteligjencës, kanë siguruar informacione në bazë të të cilave konstatohet se xhihadistët shqiptarë me bazë në Siri dhe Irak, në koordinim me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, janë duke përgatitur sulme terroriste.


Karshi kësaj situate, Policia e Kosovës, sipas këtyre burimeve, e ka ngritur shkallën e mobilizimit në pikën më të lartë, duke aktivizuar policinë civile, e cila ka për obligim identifikimin eventual të elementëve të rrezikshëm, duke mos rënë në sy.

 

 


Përveç mobilizimit nëpër gjithë qytetet e vendit, Policia e Kosovës, ka marrë urdhër për kujdes të veçantë përreth dhe në objektet shtetërore, siç janë Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe ministritë.


Ajo sipas të njëjtit burim, është urdhëruar që të kontrolloj secilin automjet që futet në hapësirat e këtyre institucioneve

Ndërsa, objektiv i terroristëve dyshohet të jenë edhe ngjarjet që mbledhin numër të madh të njerëzve.


Një ngjarje e tillë, tashmë tradicionale në Kosovë, është festimi i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një koncert të madh në sheshin qendror të Prishtinës.


Burime të lajmi.net, brenda policisë së Kosovës, kanë thënë se ky koncert i paraparë për datën 4 korrik, datë e cila shënon Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, ka shumë gjasë që të anulohet.


Institucionet e sigurisë po frikohen se ai koncert mund të jetë shumë joshës për xhihadistët, në radhë të parë se mbledh shumë njerëz, dhe tjetra, ndoshta edhe më e rëndësishme, pasi shënon ngjarjen më të madhe shtetërore amerikane.

Mobilizimi Policisë së Kosovës, mund të vërehet edhe nga masat që kanë ndërmarrë pjestarët e rendit gjatë patrullimit nëpër qytet. Për dallim nga ditët e kaluara, tani kadetët e rinj dhe shoqëruesit e tyre, janë pajisur edhe me jelekë anti-plumb.

Vlen të theksohet se mobilizim i njejtë sikurse në Kosovë, është ndërmarrë edhe në Serbi.
Mediat atje sot kanë raportuar se institucionet e sigurisë kanë dhënë alarmin se elementë xhihadistë tanimë ndodhen në territorin e Serbisë, me qëllim sulmet terroriste.


Edhe atje, si pika ku terroristët mund t’i pretendojnë për sulme nga ana e tyre, janë identifikuar objektet e institucioneve, por edhe koncertet, siç Exit i Novi Sadit, koncert me famë në gjithë Evropën dhe më gjerë. (lajmi.net)

Artikel bewerten
(1 Stimme)